Institucioni arsimor ‘Turgut Ozal’ ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Tiranës, Policinë e Shtetit për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sipas avokatit të kësaj shoqërie, kallëzimi është bërë për 12 punonjës, pasi policia ka kryer kontrolle kundra ligjit në këtë institucion, pas asnjë mandat të dhënë nga gjykata dhe prokuroria.
Avokati tha se shoqëria së fundmi është kontrolluar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga kontrolli i së cilës nuk është konstatuar asnjë parregullsi dhe shkelje.
Shoqëria “Turgut Ozal Education” sh.a, po hetohet për veprën penale të pastrimit të parave. Gazetarja e News 24 Klodiana Lala mësoi se pak ditë më parë, policia e ka referuar çështjen në prokurorinë e Tiranës.
“Kanë ndodhur disa kontrolle që i gjykojmë se janë kundra ligjit, i kemi adresuar kallëzimin penal prokurorisë së Tiranës për procedurat përkatëse.
Janë rreth 12 persona të kallëzuar. Ka ndodhur një kontroll i paligjshëm. Kanë kryer kontrolle, pa pasur një mandat, vendim gjykate dhe prokurorie.
Këto veprime i ka diktuar dhe prokuroria 20 vite më parë. Kontrollet nuk mund të bëhen, veçse duke respektuar kodin.”, tha avokati.
Duke u ndalur tek një audit që është bërë nga drejtoria e Tatimeve, avokati sqaroi se pas konstatimeve gjithçka rezultoi se kjo është një nga shoqëritë që ka zbatuar ligjin.