Nga Mentor Kikia
Greva e naftëtarëve u mbyll. Nuk po i gjykoj për zgjedhjen. Në kushtet e urisë, çdokush zgjedh bukën. Eshtë shumë të pretendosh që naftëtarët, 10 muaj pa marrë paga, do të kërkojnë më shumë demokraci.
Po uzina? Çfarë bëhet me industrinë e naftës?
Ajo është nën sekuestron e bankës që kreditoi kompaninë e fundit që e zhvati këtë pasuri. Pasi e përdorën, shfrytëzuan dhe grabitën, njëri pas tjetrit, sipërmarrësit u “zhdukën”.
Tashmë uzina është në proces degradimi. Naftëtarët bërtitën shumë, duke thënë: Vëreni në punë sepse do të shkatërrohet. Por ndërkohë industria shqiptare e naftës ishte dënuar me vdekje.
Ajo ishte e fundit e mbijetuar nga uzinat e trashëguara nga regjimi komunist. Nuk u mbyll se s’ka lëndë të parë.
Lënda e parë thithet dhe shitet jashtë nga një tjetër kompani e huaj, që del vazhdimisht me “humbje” e nuk i paguan shtetit as taksa.
Varrosja e industrisë së naftës, është e barabartë me një tradhëti ndaj këtij vendi dhe këtij populli. Një tradhëti për të cilën kontribuan të gjithë, qeveri pas qeverie, ministër pas ministri.
Por, një populli që kërkon vetëm bukë, nuk i bie mendja tek tradhëtia