Vendimi i SHBA për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha ka tërhequr vëmendjen e francezëve.
Vetë Berisha ka ngritur një padi kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Francë dhe këto zhvillime i kanë bërë përshtypje Institutit Montaigne.
Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë çështje Instituti ka kontaktuar me profesorin James Ker-Linsday, i cili ka folur detajisht mbi hapat e ndërmarrë nga SHBA për luftën antikorrupsion në Shqipëri dhe Ballkan.
Në këtë shkrim Instituti paralajmëron se shumë shpejt do të dëgjojmë edhe emra të tjerë të rëndësishëm në politikën shqiptare dhe vendeve të tjera në Ballkan. “Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë bërë një numër lëvizjesh të rëndësishme diplomatike në Ballkanin Perëndimor.
Në maj, Antony Blinken deklaroi ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha persona “non grata”, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion. Kjo u pasua nga një shtrirje e listës së zezë në një numër figurash të tjera nga Ballkani Perëndimor, bazuar në rolin e tyre në destabilizimin e procesit demokratik në rajon”, raporton Instituti.
Fokus, spastrimi i të korruptuarve
I pyetur konkretisht në lidhje me vendimin e DASH ndaj Berishës, Ker-Linsday u përgjigj se vendimi është marrë në bazë të politikës për demokracinë. Sipas tij, duhej të merrej ai vendim për aq kohë sa SHBA ka prova që Berisha është i përfshirë në korrupsion dhe kjo tregon se Amerika ka si prioritet eliminimin e korrupsionit në Ballkan, duke e përshkruar këtë si një hap mjaft të rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin në rajon.
“Unë mendoj se, kjo duhet të kuptohet në kontekstin e politikës më të gjerë të SHBA ndaj rajonit. Në shumë mënyra, këto masa duken në përputhje me administratat e mëparshme të SHBA, veçanërisht Administratat Demokratike, të cilat kanë tentuar të jenë shumë më të përqendruara në stabilitetin rajonal.
Pra, në gjithë këtë punë intensive të SHBA kohët e fundit vlen të theksohet se, një fokus në trajtimin e korrupsionit dhe lidhjen e tij me një stabilitet më të gjerë rajonal, është një mënyrë e mirë për të filluar”, është shprehur ai.
BE po ndihmon Ballkanin
Gjatë intervistës Ker-Linsday nuk e ka braktisur Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit për procesin e integrimit, përkundrazi po i ndihmon që të përmirësohen. Sipas tij, BE e ka totalisht vëmendjen në zhvillimin dhe arritjen e stabiliteti për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian me sa duket e ka kthyer vëmendjen nga Ballkani Perëndimor. Nga jashtë, duket se nuk ka asgjë për të bërë. Nga rajoni, ekziston një ndjenjë që nuk ka një oreks në BE për t’u angazhuar me të vërtetë.
Kjo nga ana tjetër minon të gjithë procesin e zgjerimit duke ulur stimujt për ndryshime rajonale. Pse e bën punën e vështirë nëse BE-ja tregon pak shenja të dukshme se i dëshiron ato? Pra, mbështetja për ecurinë dhe integrimin e Ballkanit do vijojë paralel me vendosjen e stabilitetit”, deklaroi ai.