Vendimi i papritur i presidentit Ilir Meta, i cili doli kundër vetes së tij, duke zhbërë dekretin dhe anuluar datën e zgjedhjeve vendore, ka shkaktuar habi dhe debate në radhët e politikës në vend. Menjëherë, pasi u vu në dijeni të vendimit të Metës, kryeministri Edi Rama, teksa ndodhej në një takim elektoral në Berat, deklaroi hapur se e priste një vendim të tillë, ndërsa theksoi se pavarësisht këtij qëndrimi kontrovers, ai dhe mazhoranca që drejton do t’i zhvillojnë zgjedhjet në 30 qershor.
Madje, në të njëjtën linjë me shefin e qeverisë, u rreshtua edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili theksoi se zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor, duke paralajmëruar kështu mosmarrjes në konsideratë të vendimit të Metës. Por pak, pasi vendimi i Presidentit Meta bëri xhiron e botës, në skenë dolën juristët, të cilët u ndanë në dy grupe.
Një pjesë e tyre deklaruan se vendimi i Metës është i drejtë dhe se nuk mund të ankimohet, ndërsa pjesa tjetër u shpreh se një vendim i tillë ka baza ligjore për t’u ankimuar. Mirëpo, të ndodhur përpara këtyre dilemave, gazeta kontaktoi disa juristë dhe deputetët të PS, të cilët njëzëri pohuan se do ta refuzojnë urdhrin e Metës, duke e ankimuar atë në Gjykatën Administrative.
Sipas tyre, vendimi i Metës është një akt individual dhe administrativ dhe për këtë arsye do t;i drejtohen Administratives për ta bërë nul si vendim. Pra, përveç rrëzimit politik të vendimit të Metës, sikundër ishte deklarata e Ramës dhe Ballës, se zgjedhjet nuk kanë shans të shtyhen, mazhoranca qeverisëse pritet ta fitojë betejën me presidentin edhe në rrugë ligjore, sikundër është ankimimi i urdhrit të kreut të shtetit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, nga ana tjetër gazeta ka mësuar se mazhoranca ka edhe një plan B për të rrëzuar Metën, sikundër është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky institucion prej disa javësh ka nisur punën për zgjedhjet vendore.
Dhe në kushtet kur PS ka shumicën në komision, sipas burimeve me shumë gjasa pritet që të mos e zbatojë dekretin e Metës, duke vijuar e qetë punën dhe mos anuluar zgjedhjet lokale, të cilat janë parashikuar të mbahen të dielën e 30 qershorit. Megjithatë, mbetet për tu parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Meta të shkarkohet
Vendimin e presidentit Ilir Meta e ka komentuar edhe avokati i njohur, Idajet Beqiri. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deklaroi se presidenti nuk mund të anulojë dekretin, pasi sipas tij, është dekret normativ. Në këtë kontekst, Beqiri akuzoi Metën se ka bërë një veprim antikushtetues dhe se nuk mund të zbatohet. Sipas avokatit, në kushtet kur Meta ka konsumuar “puç” kushtetues, mazhorancës i lind e drejta të nisë procedurat për shkarkimin e tij.
“Presidenti nuk mund të anulojë dekretin. Ai është dekret normativ. Ka një kufi kur bëhen zgjedhjet vendore. Në Kushtetutë nuk përcaktohet se ai ka të drejtë të anulojë. Nuk e lejon neni 93. Ai ka bërë një veprim që është antikushtetues dhe nuk zbatohet. Mundësia e parë është që ¼ e deputetëve të kërkojë shkarkimin e presidentit për shkelje të Kushtetutës. Presidenti i ri e konsideron nul vendimin.
Mundet që juridikisht të veprohet dhe në aspektin administrativ. Është akt administrativ i pavlefshëm. Një akt që është i pavlefshëm nuk sjellë pasojë juridike. Administrativja duhet ta rrëzojë. Padinë mund ta bëjë qeveria dhe KQZ”, deklaroi avokat Idajet Beqiri. Ndërkohë, edhe juristi Romeo Kara ka akuzuar presidentin Meta se shkeli Kushtetutën. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Kara deklaroi se shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk bazohet në asnjë nen dhe kjo përbën shkelje. Sipas tij, presidenti duhet me urgjencë të shkarkohet nga Parlamenti./ Rigels Seliman