Ashtu siç gazeta “SOT”, e paralajmëroi e para pak ditë më parë, më datën 14 tetor Komisioni i Venecias pritet që të shqyrtojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në 23 qershor, Gjykata Kushtetuese pezulloi gjykimin dhe vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në 2019.
Krahas kësaj, Gjykata Kushtetuese u kërkoi palëve të interesuara t’i drejtojnë nga një pyetje Komisionit të Venecias, ndërsa bëri të ditur se pas marrjes së opinionit të “Venecias”, ajo do të rishqyrtojë 30 qershorin.
Venecia: Vendimi për zgjedhjet lokale në 14 tetor
Por dje në një njoftim në faqen zyrtare të tij, Komisioni njoftoi se kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet më 14 tetor 2021.
Sipas Komisionit të Venecias, çështja do të shqyrtohet, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për të adresuar juridiksionin mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, për zgjedhjet e vitit 2019.
“Më 9 korrik 2021, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri kërkoi një opinion për të adresuar në veçanti juridiksionin mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, në marrëdhënie me zgjedhjet lokale të vitit 2019. Drafti duhet të paraqitet për miratim nga seanca e 128 plenare e Komisionit të Venecias. Çështja do të shqyrtohet nga data 14-16 tetor”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Venecias.
Ja si Meta del jashtë loje
Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias sa i takon ligjshmërisë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, rrezikon të nxjerrë jashtë loje presidentin Ilir Meta. Kjo pasi në tetor Venecia merr vendim dhe më pas i duhen edhe pak kohë deri sa ta zbardhë atë, ndërkohë që në vijim “topi kalon në fushën” e Gjykatës Kushtetuese, e cila me shumë mundësi do të japë një vendim për 30 qershorin në fund të vitit.
Kështu që nisur nga kjo analizë dhe strategji e ndjekur nga Kushtetuesja, fati i 30 qershorit pritet të vendoset pas vendimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Për këtë të fundit nëse do të qëndrojë ose jo në detyrë, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë në fund të muajit korrik.
Mirëpo nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkarkojë Metën nga detyra, për zgjedhjet vendore të parakohshme, pritet që datën e zgjedhjeve ta dekretojë presidenti i ri që do të pasojë ish-kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim në krye të Presidencës, gjithmonë nëse edhe për këto gjykata më e lartë në vend vendos që të anulojë ato të 30 qershorit.
Pra, nëse supozojmë që Kushtetuesja do të marrë vendim që të shkarkojë Ilir Metën nga detyra dhe do të anulojë “vendoret” e 2019, zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të dekretohen nga presidenti i ri.