Procesi i vetingut vijon të dëshmojë nga ditë në ditë se nuk kursen asnjë gjyqtar dhe prokuror që ka mbyllur dosjet e bujshme. Gjatë 30 viteve demokraci kanë ndodhur shumë ngjarje kriminale dhe ka pasur shumë raste korrupsioni, por askush nuk përfundoi pas hekurave.
Ishin gjyqtarët ata që mbyllën dosjet e bujshme, e sidomos gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Ata nuk lejuan dënimin e Ilir Metës, të Lulzim Bashës dhe personave përgjegjës për Gërdecin dhe 21 Janarin. Sot asnjë nuk është në sistemin e drejtësisë çka tregon se vendimet e marra prej tyre janë shumë të dyshimta.
Ajo që bie në sy është se kemi një shpërbërje totale të trupës gjyqësore që shpëtoi presidentin aktual nga afera e videos me Dritan Priftin ku flitej për 700 mijë euro. E vetmja që tentoi të kishte një CV të pastër nga 4 gjyqtarët që votuan pro Metës është Arjana Fullani. Kjo e fundit dha dorëheqjen nga sistemi, por kërkoi që të mos i hiqet statusi i magjistrales duke kërkuar që të bëhet gjyqtare sa herë të ketë qejf.
KPK e përjashtoi për 15 vite, ndërsa ajo e ankimoi në KPA. Dje u mbajt seanca e Kolegjit të Apelimit, i cili la në fuqi KPK duke nxjerrë për 15 vite nga sistemi Arjana Fullanin. Me këtë vendim vuloset shpërbërja e trupës që shpëtoi Metën nga burgu.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) nr. 40/2019, datë 04.09.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Arjana Fullani kundër vendimit nr. 186, datë 23.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin G, të Aneksit të Kushtetutës, nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr.186, datë 23.07.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arjana Fullani; Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendim.
Dosja “Meta-Prifti”
Trupa gjyqësore që gjykoi Metën përbëhej nga: Ardjan Dvorani, Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj. Katër emrat e fundit dolën të gjithë në mbështetje të Ilir Metës, duke dhënë votë për pafajësi, ndërsa Ardjan Dvorani doli me mendim paralel, duke kontestuar vendimin në disa pika. Dvorani sot është gjyqtar Apeli, por 4 emrat e tjerë e gjejnë sot veten jashtë sistemit të drejtësisë.
Gani Dizdari ngeli në veting, Majlinda Andrea u dënua me 4 vite burgim për korrupsion, por që u konvertua në shërbim prove. Ligji për Gjykatën e Lartë përcakton që anëtarët e saj në momentin që mbarojnë mandatin, duhet që të emërohen gjyqtarë në një prej gjykatave të apelit në vend. Por përveç Dvroanit, gjithë të tjerët u larguan nga sitmi duke i shpëtuar kështu vetingut. Fullani dhe Zenelaj dhanë dorëheqjen duke u larguar nga sistemi. Majlinda Andrea u dënua me vendim gjykate për korrupsion, ndërsa Dizdari ngeli në veting.
Pra që të gjithë sot janë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite. Por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me SPAK dhe BKH, pasi janë të shumtë ata që po japin dorëheqjet duke i shpëtuar vetingut. Kohët e fundit janë shtuar zërat se do ketë hetim për të ngelurit në veting, ndërsa mbetet të shihet se çfarë fati do kenë të dorëhequrit. Sa i takon zonjës Fullani ajo është bërë avokate, por Dhoma e Avokatisë pritet të marrë masa dhe në këtë aspekt.