Të jesh tifoz i Barcelonës në një ditë si kjo e sotmja është më shumë se e vështirë. Katalanasit janë zyrtarisht në Europa League. Kur janë luajtur pesë ndeshje në grupin e Champions League, ekipi i Xavit numëron vetëm një fitore ndaj Maccabi Haifa dhe një barazim të pamerituar ndaj Interit.
Në dy rastet e tjera, Bayern Munich e ka ndëshkuar. Kështu ndodhi edhe sot, teksa Mane dhe Choupo Moting nuk i lanë asnjë shpresë vendasve për të marrë një fitore morali, pasi triumfi i Interit ndaj Plzen i kishte dërguar në Europa League përpara se të zhvillohej kjo përballje. Ndërkohë Pavard i dha goditjen e fundit për ta mbyllur në shifrat 0-3.
Në fund të pjesës së parë, katalanasit kanë pretenduar për një penallti. Lewandowski ka rënë në një duel me De Ligt dhe arbitri ka treguar 11-metërshin.
Megjithatë VAR e ka thirrur sërish për të parë rastin në fjalë. Më pas gjyqtari ka anuluar vendimin e mëparshëm, duke lënë vazhdimin e lojës normalisht. Fytyra e Lewandowski tregon më së miri gjendjen e tij, teksa vështroi arbitrin i pafuqishëm dhe i dorëzuar.