Gjatë një ndërhyrjeje në Kuvend, që luhatej mes analizës gjeopolitike dhe një lloj konfuzioni terminologjik, Tritan Shehu – i vetëshpallur si konservatori më i madh brenda PD – vendosi të shprehë shqetësimin e tij për pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në Samitin për Mbrojtjen e Demokracisë në Barcelonë, një takim ku u mblodhën figura të së majtës europiane.
Fillimisht, alarmi ishte i qartë: kjo pjesëmarrje, sipas Shehut, rrezikon marrëdhëniet me SHBA dhe administratën e Donald Trump, e cila – në këtë lexim – nuk i ka punët mirë me qeverinë aktuale të majtë spanjolle dhe të majtën globale në përgjithësi. Por shqetësimi i tij pësoi një kthesë të papritur kur kaloi nga frika për dëmtimin e aleancave transatlantike, tek ankthi se prezenca e Ramës mund të dëmtojë vetë të majtën europiane. E majta që në fillim u etiketua si “populiste” dhe “ekstremiste”, më pas u rehabilitua në “të majtë të vërtetë”, duke lënë të paqartë nëse problemi ishte ideologjik, apo terminologjik
Është disi komike që një deputet i një partie në krizë, në një vend të vogël si Shqipëria, të projektojë veten si rojtar i ekuilibrave ideologjikë të Europës dhe garant i harmonisë
transatlantike. Një ambicie që tingëllon madhështore vetëm nëse nuk e sheh kontrastin me realitetin përreth.





