Teksta të gjithë qytetarët shqiptarë ndodhen në karantinë për shkak të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, një vogëlush 6 vjeçar i ka shkruar një letër kryeministrit Edi Rama.
Në këtë letër, vogëlushi Ilves i cili ndjek klasën e parë, kërkon të dijë kur do mbarojë kjo gjendje, pasi ai mezi po pret të festojë Festën e Abetares dhe nuk do që edhe ky event të anulohet si festat e nëntorit që lamë pas.
“I dashur xhaxhi kryeministër Edi Rama. Unë që po të shkruaj këtë letër jam Ilves Seliman. Jam në klasën e parë në shkollën “17 Shkurti” Qesarakë, Tiranë.
Prej 1 muaji unë jam në karantinë për shkak të koronavirusit dhe i kam zbatuar të gjitha këshillat që keni dhënë ju dhe doktorët. Edhe detyrat e shkollës që më ka dhënë mësuesja nga telefoni i mamit i kam bërë përditë.
Por unë dua të di nga ty xhaxhi Rama kur do mbarojë kjo situatë? Mezi pres të festojë Festën e Abetares, pasi festat e nëntorit nuk i festova për shkak të tërmetit. Të përqafoj nga larg, Ilves Seliman.”.