Nga Rigels Seliman
Të bësh llogaritë e të tjerëve duket argëtuese, por kur është fjala për të bërë llogaritë për politikanët është edhe më emocionuese dhe intriguese. Megjithatë, sot kam zgjedhur të bëj një analizë për një premtim të kahershëm të politikanëve shqiptarë për emigrantët. Bëhet fjalë për votën e emigrantëve, për të cilët jam kundër. Kështu që po hyj në analizë, edhe pse jam i bindur që do të shkaktojë polemika dhe nuk do të pritet mirë nga emigrantët, por edhe partitë politike.
Prej shumë vitesh post rënies së komunizmit, kemi parë rëndomtë politikanët shqiptarë që një nga premtimet e tyre kur fillon fushata është krijimi i infrastrukturës për votimin elektronik për emigrantët. Por mua më ngacmon një pyetje se përse duhet të votojnë emigrantët shqiptarë që kanë hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare? Përse duhet të votojnë emigrantët shqiptarë që kanë ikur në SHBA me llotari amerikan, ndërkohë që janë integruar në atë vend duke u bërë qytetar e hequr dorë nga Shqipëria?
Përse duhet të votojë në zgjedhjet në Shqipëri një qytetar që kur është në Shqipëri dhe vjen si vizitor apo turist flet fjalë të mira për vatanin e tij, ndërsa sapo ikën, madje sapo avioni ngrihet në fluturim vjell vrer për Shqipërinë, ndonëse në të vërtetë e kanë inatin më politikanët shqiptarë? Përse një emigrant duhet të vendosë se kush do të qeverisë Shqipërinë, në një kohë që kur ishte dhe jetonte këtu nuk bërë asgjë për të ndryshuar apo ndëshkuar pushtetarët përmes votës, ndërsa tani çirret dhe kërkon të drejtën e votës?!
Përse më duhet vota e një emigranti që zgjodhi të flakë tej nënshtetësinë shqiptare, sikundër janë rastet e disa halabakëve dhe ordinerëve që hedhin video në rrjetet sociale, madje krenohen që i vënë zjarrin pasaportës shqiptare?! Perse? Një individ që dhunon pasaportën shqiptare për inat të politikave të ndjekura nga politikanët shqiptarë është ekstremist dhe si i tillë duhet mbajtur larg vendimmarrjeve.
Kështu që, motra dhe vëllezër Shqipëria nuk ndryshon me leksione e duke e parë e soditur nga jashtë, nga larg apo me syrin e vendit ku jetoni?! Shqipëria do të bëhet dhe lipset të ndryshojë nga qytetarët shqiptarë, sidomos ata që jetojnë brenda kufijve të saj, pasi ata e dinë ku ju pikon çatia e çfarë hallesh kanë dhe jo ju që zgjodhët t’i kthenit krahët Shqipërisë në momentin më të parë!
Nga kjo pikëpamje dua të di, madje nuk e kuptoj këtë naivitet dhe lajthitje të politikanëve shqiptarë që premtojnë votën e emigrantëve, në një kohë që ata nuk mund të bëjnë asgjë për Shqipërinë për sa kohë që zgjodhën të largoheshin?! Shqipëria është e bukur dhe për këtë duhet të vendosim ne këtu se kush duhet të na qeverisë, jo emigrantët.
Këta të fundit zgjodhën të largoheshin dhe braktisur pasaportën shqiptare për një tjetër, por nuk mund të vendosin se kush do të qeverisë Shqipërinë, pasi vota e tyre mund ta fut në kaos dhe spirale të rrezikshme Shqipërinë, sepse ka gjasa që të sjellin në pushtet ekstremistë dhe politikanë anonimë që janë të etur e uritur për të zhvatur e vjedhur.
Nuk ka pse qeveria shqiptare të shpenzojë para për t’iu dhënë mundësi emigrantëve të votojnë, në një kohë që ato lekë mund t’i shpenzojë për rritje pagash e pensionesh. Boll më me këtë fabul dhe përqëndroheni vëmëndjen brenda Shqipërisë dhe atyre emigrantëve shqiptarë me dy nënshtetësi. Megjithatë, dikush mund të thotë që emigrantët mbajnë shtetin shqiptar se dërgojnë remitanca?! Por kjo është çështje tjetër, për të cilën mendoj se duhet të ketë lehtësira fiskale!l