Reforma në drejtësi ka ngjallur shpresën se do ndëshkohen të pandëshkueshmit. Shumë zyrtarë janë nën hetim dhe sytë janë kthyer te Prokuroria e Posaçme, por rol të madh në hapjen e rasteve të vjetra ka dhe Prokuroria e Tiranës.
Pak kohë më parë u rihap dosja e vrasjes së bankerit Artan Santo, dosje e cila më pas i kaloi SPAK. Mësohet se po bashkëpunohet mes dy prokurorive për të zbuluar autorët e vërtetë të kësaj ngjarje. Një dosje tjetër shumë e rëndësishme është ajo e vrasjeve më “21 Janar”.
Për dy prej viktimave nuk u ndëshkua asnjë person dhe falë provave të reja Prokuroria e Tiranës rihapi çështjen. Gazeta u interesua pranë dy prokurorive për këtë dosje dhe mësohet se është avancuar shumë me hetimet. Në rastin e Santos janë pyetur individë dhe janë shqyrtuar të dhëna të reja të marra dhe në mënyrë informative.
Ndërkohë sa i takon “21 Janarit”, sytë janë te ekspertiza pasi në dosjen që ka ardhur nga policia kërkohet riekspertim i vrasjes së Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Edhe në këtë rast po avancohet dhe pritet të ketë zhvillime.
Bankieri Artan Santo u ekzekutua më 26 qershor të vitit 2014. Sapo ai zbriti nga makina për t’iu drejtuar zyrës në selinë qendrore të bankës që drejtonte, dy persona më motor iu afruan dhe e qëlluan për vdekje. Kjo u cilësua si një ndër ngjarjet më të rënda në vend, pasi Santo ishte një emër mjaft i njohur dhe me njohje të shumta në politikë.
Sa i takon “21 Janarit”, në janar të këtij viti, qeveria dha sinjalet se mund të tentojë rihapjen e dosjes. Policia e Tiranës ka dorëzuar një kërkesë në prokurori, ku kërkon riekspertim hetimor për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Po ashtu kërkohet të riekspertim për plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Sipas informacioneve, policia ka kërkuar të kryhet riekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të Gardës që ishte në shërbim në datën 21 janar. Gjithashtu në letër-kërkesë kërkohet të ripyeten të afërm të viktimave dhe dëshmitarë. Vrasja e Nikës është më e mistershmja e “21 Janarit”.