Deputeti Lefter Maliqi tregon se ka hyrë në një dilemë shumë të madhe këto kohë.
Ligjvënësi tregon se nuk di se kë të zgjedhë për të kandiduar në zgjedhjet e 25 qershorit pasi sipas tij shumë parti janë vendosur në garë me njëra-tjetrën për ta pasur në listën elektorale.
Maliqi thotë në ReportTV se kontaktohet shpesh edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha edhe nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi por ende nuk ka vendosur se krah kujt do të dalë në zgjedhje.
“Jam midis të dyjave. Do zgjedh në momentin e fundit. Unë me të dy kam kontakte. Me Kryemadhin dhe Bashën.
Dhe nëse nuk më zgjedhin s’ka problem.
Do jem në koalicionin PD-LSI. Partitë e reja i bëjnë mirë demokracisë, por sistemi është sërish i mbyllur. Kur Bamir Topi nuk mori mandat deputeti, nuk mund të marrin deputetët që kanë kontribuar sado pak në qarqe.
Unë do heq dorë 65-66 vjeç, nuk heq dorë kollaj nga politika unë. E kam pasion tani.
Do e vazhdoj deri në fund karrierën politike. Nëse nuk do jem në parlament pas 25 prillit, do jem në zgjedhjet e tjera.
E rëndësishme është që të mbetem ky që jam. Unë po të dal deputet i pavarur, nuk i marr dot 10 mijë vota, është e pamundur. Sepse nuk më mbrohet vota, më vidhet”, tregon Maliqi i cili në politikë njihet ndryshe si “xhevahiri i Beratit”. (TemA)