Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka paralajmëruar edhe një herë politikën që të ndalë sulmet ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Të shumtë janë ata që ndodhen në panik për shkak të SPAK dhe BKH dhe sipas ambasadores po luftojnë kundër reformës.
Nga Shkodra, në një dalje për mediat, Kim ka kërkuar nga klasa politike që të ndalen sulmet si dhe u ka bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që të mos bien preh e këtyre shantazheve, por të bëjnë punën e tyre, pasi sipas saj ka ardhur koha që të goditet korrupsioni në nivele të larta.
“Mendoj që është një gjë e mirë që SPAK të jetë funksional. Disa po përpiqen t’i pengojnë në punën e tyre dhe madje të intimidojë gjykatësin dhe prokurorin, por ka ardhur koha që t’u qëndrojnë fort këtyre personave që përpiqen t’i bullizojnë”, tha Kim. Ndërsa duke iu referuar goditjes së korrupsionit, Kim e bëri të qartë se ligjet në Shqipëri janë të qarta dhe duhet të zbatohen ashtu siç janë.
“Mendoj që ligjet e Shqipërisë janë shumë të qarta dhe kushdo që e ka marrë atë letër e di saktësisht se për çfarë jam duke folur”, tha Kim. Por në kuadër të reformës në drejtësi, ambasadorja amerikane foli edhe për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Kim, opinioni i Komisionit të Venecias duhet të shërbejë si një trampolinë për të ecur përpara, duke shtuar se ajo është dakordësuar me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi për ringritjen e kësaj gjykate deri në fund të këtij viti.
“Kjo është një pyetje shumë e mirë. Sikurse jeni në dijeni Shqipëria ka qenë pa një Gjykatë Kushtetuese për një kohë të gjatë. Dhe kjo nuk është një situatë e pranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe një vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Sikurse e kam thënë edhe më parë, opinioni i dhënë nga Komisioni i Venecias ofron një mundësi për të bërë përpara, për të ecur përpara. Kemi qenë të kënaqur gjithashtu që edhe kryetari i Kuvendit Ruçi ka rënë dakord që deri në fund të vitit duhet të ngrihet Gjykata Kushtetuese për Shqipërinë”, u shpreh Yuri Kim.
Situata politike
Por ambasadorja amerikane komentoi edhe situatën politike në vendin tonë. Kim u shpreh optimiste se palët politike do të mblidhen së bashku ku do të arrijnë në një kompromis të kënaqshëm për qytetarët. “Mendoj që përfundimisht është përgjegjësi e drejtuesve politikë në Shqipëri dhe jo e ambasadores amerikane.
Unë do të luaj një rol në mbështetje të këtyre përpjekjeve, por ky është një vend sovran dhe zyrtarët e zgjedhur kanë një përgjegjësi të cilës nuk mund t’i largohen. Mendoj që është një lajm shumë i mirë që palët politike, si ata që janë brenda në Kuvend, ata që janë jashtë Parlamentit të mund të mblidhen sëbashku për të diskutuar për çështje që mund të bien dakord.
Jam e sigurt që do të zhvillohen debate të shëndetshëm dhe entuziast. Por jam po aq e sigurt që në fund do të arrihet një kompromis për popullin shqiptar”, u shpreh ambasadorja. Ndërsa duke iu referuar marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore, Kim u përgjigj shumë shkurt, duke deklaruar se: “Le të shikojmë se si do të funksionojë”. Në këto deklarata të ambasadores amerikane, duke qartë vendosmëria e tyre për ta çuar para reformën në drejtësi dhe arrestimin e zyrtarëve të përshirë në afera korrupsioni./ELISJEDA KIKO