Ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani, gjatë një interviste mediatike, ka bërë një deklaratë të fortë, teksa tha se SPAK po përgjon Këshillin e Lartë të Prokurorisë, teksa e konsideroi si skandal këtë gjë.
Manjani tha se SPAK po përgjon KLP-së për të diktuar zgjedhjet e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme dhe atë të BKH.
Sipas ish-ministrit, anëtarët e KLP janë duke u intimiduar nga përgjimet.
“Çfarë ndodh nëse del aty një anëtar i KLP-së dhe i thotë këtyre survejuesve, mos më çani t*****. Çfarë janë këta tufa dhe këta legena?
Si ka mundësi që shteti shqiptar, zyrtarë kushtetues, si ka mundësi që ne duhet të pranojmë një standard, që institucionet kushtetuese, u dashkaun, survejuar, monitoruar dhe kush më garanton mua që përgjuesi nuk i intimidon ata?
Unë e di që ata përgjohen. Kanë dy muaj në përgjim dhe i përgjon SPAK-u për të diktuar zgjedhjet dhe kjo është poshtërsi. SPAK po përgjon KLP për të diktuar zgjedhjet.
Kjo është turp e faqja e zezë. Përgjohet në mënyrën më fashiste një istitucion kushtetues. Ku e gjejnë të drejtën këta”, tha Manjani.
Por Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
Përmes një reagimi ndaj disa deklaratave mediatike, SPAK shprehet se “nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore”.





