Kryetari i KLP-së z Gent Ibrahimi tha se në Kuvend duhet të shkojnë 3 kandidatura për kryeprokurar dhe të marrin 84 vota që njëri prej tyre të bëhet Prokuror i Përgjithshëm.
Nëse dy nga kandidaturat s’kualifohen, kjo e vë në pikëpyetje procesin dhe kryetari i KLP-së tha se ky është një skenar i mundshëm.
“Është një skenar i mundshëm. Një nga detyrat e Këshillit është që të verifikojë plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët e mundshëm për Prokuror të Përgjithshëm.
Në rastin e kandidati Çela, kushti ligjor i parë është që të kalojë procesin e vettingut. Këtu ka një pikëpyetje.
Interpretimi i parë që Këshilli i dha këtij momenti, nëse një kandidat i magjistraturës, duhet apo jo që ta ketë kaluar vettingun, është e diskutueshme kjo çështje.
Këshilli vendosi që po, kandidati që vjen nga radhët e magjistraturës, duhet ta ketë kaluar procesin e vettingut.
Sa i takon kandidatëve jo magjistratë, procesi i vettingut nuk e kryen Këshilli i Lartë i Prokurorisë, proces që konsiston në dërgimin e dhjetëra shkresa në adresë të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Tatimeve, Doganave, të Shërbimeve inteligjente.
Ky është një atribut që na e jep ligji, që e ka zgjeruar konceptin e vettingut”, u shpreh Ibrahimi.