Prezenca e OSBE në Tiranë duket se është hakmarrë ndaj presidentit Ilir Meta, pas shpalljes non grata që ky i fundit i bëri ambasadorit Bernd Borchardt. Ditën e djeshme u mbajt tryeza e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore, ku bëri bashkë mazhorancën dhe opozitën jashtëparlamentare. Por OSBE i ka dhënë goditje LSI, duke lënë jashtë axhende përfaqësuesin e saj Muharrem Caka. Ky veprim ka ngjallur pakënaqësi tek kjo parti.
Një fakt të tillë e pohoi edhe ish-deputetja e LSI Silva Caka, e cila deklaroi se opozita është e pakënaqur për axhendën e tryezës për reformën zgjedhore të thirrur nga OSBE. Gjatë një interviste televizive, Cakaj u shpreh se axhenda edhe pse është paraprake ndryshohet në momentet e fundit duke bërë që opozita me përfaqësuesit e saj të mos kenë mundësinë të shprehen. “Është një tryezë që ramë dakord të merrnim pjesë në nivel teknik. Organizatorët kanë patur mungesë korrektësie. Nuk respektohet axhenda e paracaktuar. Nuk lihen të flasin sipas axhendës, me urdhër ndoshta. Por sigurisht që do të kemi një qëndrim. Opozita e bashkuar do të ketë një qëndrim që do të bëhet publik në orët në vijim lidhur me mungesën e korrektësisë për të rakorduar axhendat që ndryshohen në vendin e fundit për të sfumuar opozitën e bashkuar”, tha Silva Caka.
Përplasjet PD-LSI
Por tryeza e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore ka thelluar përplasjet mes PD-LSI. Gazeta e ka theksuar disa herë se palët nuk janë në unison dhe një gjë e tillë u vërtetua ditën e djeshme. PD kërkoi ndërhyrje ligjore që sigurojnë që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100 për qind nga buxheti i shtetit me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta. Përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso në një prononcim për media tha se klasa politike duhet t’i miratojë dhe të zbatojë sa më parë këto ndërhyrje. “Opozita i përgjigjet pozitivisht çdo ftesë të partnerëve për të marrë pjesë në një tryezë që synon të japë zgjidhje të vërteta. Financimi i partive kërkon kontributin e të gjitha palëve. Propozimet janë detajuar edhe në nivel teknik dhe së shpejti nga ekspertët e opozitës së bashkuar në funksion të punës që mblidhen në selinë e PD do të materializohen me një draft konkret.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre me pikat e dobëta që lidheshin me financimin dhe që duhet të adresoheshin. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre për 100 për qind të financimit publik. I takon klasës politike që të miratohet dhe zbatohet”, tha ai. Por ky propozim i Ivi Kaso pritet që të sjellë një përplasje mes PD dhe LSI. Partia e Kryemadhit ka dalë kundër financimit të partive nga shteti, pasi ajo është partia që rrezikon më shumë nëse miratohen ndërhyrjet e kërkuara nga PD. Ish-deputetja Silva Caka tha se nuk ka nevojë për këto ndryshime, pasi sipas saj ata kanë bërë deklarime të sakta të shpenzimeve. “Ajo që na intereson është transparenca e financimeve. LSI e ka patur transparencën shumë të lartë edhe në faqen e saj. Ne kemi propozuar rritjen e mekanizmit të kontrollit në financimin e partive. Por ne duhet të risim edhe shpenzimet e kandidatëve. E rëndësishme është për biznesmenët që vijën në politikë se si shkojnë biznese e tyre me përfitimin e fondeve publike”, tha Caka. Tashmë duket qartë që mes PD dhe LSI nuk ka asnjë koordinim, por vetëm përçarje mes tyre. /Elisjeda Kiko