Zëdhënësi i qeverisë në largim të Kosovës, Përparim Kryeziu bëri të ditur se kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një letër zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, të cilin e ka falënderuar për ndihmën financiare të SHBA-së ndaj Kosovës.
Megjithatë, siç ka shkruar Kryeziu, raportimi se Kurti i është ankuar zëvendëspresidentit Pence për ambasadorin amerikan Grenell është interpretim tendencioz dhe nuk përfaqëson përmbajtjen e letrës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kryeziu shkruan: “Në letrën dërguar Zëvendëspresidentit Pence, Kryeminsitri Kurti e ka falënderuar atë për ndihmën financiare që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës në ballafaqimin e saj me COVID-19 dhe ka shprehur krenarinë për të gjitha ata shqiptaro-amerikanë, pjesë e komuniteti mjekësor, të cilët po kontribuojnë në luftimin e pandemisë atje”.
Siç ka shkruar më tej Kryeziu, “Kurti nuk është ankuar për Ambasadorin Grenell, por ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e presidentit Thaçi për shkëmbim territorial, eufemizën për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet ambasadorin Grenell”.