Sali Berisha u është rikthyer dje sulmeve në adresë të kryeministrit Edi Rama, ndërsa ka marrë në mbrojte edhe presidentin Ilir Meta. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, ish-kryeministri Berisha u shpreh i bindur se qytetarëve shqiptarë iu ka mbetur vetëm një alternativë për të larguar qeverinë dhe ajo sipas tij, është përballja me revoltë dhe trup me trup me bandën qeveritare.
Në këtë kontekst, zoti Berisha theksoi se opozita duhet të aplikojë modelin Bolivian për të larguar Ramë. “Jam plotësisht dakord me Ilir Metën që akuzon shumicën për grusht shteti. Ilir Meta po tregon se është një burrë shtetit, me mbrojtjen që po i bën Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore. Sa i takon Edi Ramës, unë di të them se ekziston vetëm një mundësi dhe ajo është largimi i tij me revolucion, sikundër ndodhi në Bolivi. Duhet të përballemi trup më trup me bandën qeveritare dhe ta bllokojmë kryeministrin që Zografi të mos hyjë më, se dihet që kur proteston uragani i opozitës, ai i mbath në tunelet e Skraparit dhe Mokrrës.
Rama nuk ka shpëtim dhe shqiptarët duhet që të analizojnë gjendjen dhe të reagojnë sa nuk është vonë. Rama është një barrë e Shqipërisë dhe një tradhtar ndërkombëtar. Rama po shpopullon Shqipërinë dhe po varfëron shqiptarët. Vetëm revolucioni është zgjidhje. Kështu që, unë nuk e di çfarë do bëj Basha, por mesazhi im ky është. Rama duhet hedhur në koshin e historisë dhe po nuk iku ai, shqiptarët do zhyten në skamje dhe varfëri”, deklaroi ai. Më tej, Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor fatkeqësinë e tërmetit në shërbim të pushtetit të vet, ndërsa ia lejoi vetes të vërë një bast të madh për të ardhmen politike të Ramës. “Ky e tregoi që dje, duke shkelmuar mbi mjerimin e atyre njerëzve, Rama mendon se siguroi mandatin e tretë. Rama edhe në hënë po të shkojë mandat të tretë nuk merr më, është i djegur.
Por ai po përdor tragjedinë e tërmetit për kredo politike. Edi Rama është e keqja e këtij kombi”, u shpreh ai. Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha ngriti akuza të forta se George Soros, teksa tha se ky i fundit është shkaktari kryesor i shkatërrimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke ndihmuar Edi Ramën që ta kap atë. “Xhorxh Soros është autori defakto i shkatërrimit të plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Unë ju garantoj, se vetëm gjer tani fatura e bllokimit të dosjeve në Gjykatën e Lartë është mbi 4 miliardë dollarë. Ai mbështet partitë e majta, është armik i përbetuar i republikanëve në SHBA”, nënvizoi Berisha.