Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka sqaruar deklaratën e bujshme lidhur me muzikën dhe përhapjen e Covid.
Klosi tha se nuk ka dashur të thotë se është muzika ajo që të infekton. Sipas tij, një vend me muzikë të lartë ndryshon sjelljen e njerëzve pasi krijohet një ambient më dinamik dhe shtohen rrymat e ajrit që vijnë nga kondicioneri.
“E përsëris edhe njëherë muzika nuk te infekton. Përsa i përket komunitetit të atyre njerëzve që jetojnë me muzikën i kërkoj ndjesë, pasi janë më të goditurit sidomos gjatë periudhës së verës. Përsa i përket atyre që u morën me meme, është një humor i bukur.
Valët në një ambient të mbyllur krijojnë një dinamikë dhe shtojnë rrymat e ajrit që vijnë nga kondicionimi, njerëzit lëvizin më shumë djersiten më shumë, rrinë të gjithë se bashku e rreziku shtohet shumë më tepër.
Qënia në një ambient me muzikë për njerëzit ndryshojnë sjellje nga lëvizjet nga energjia, janë të gjitha këto që shtojnë rrezikun për infektim”, deklaroi ministrit Klosi në Top Talk.
Sërish argumenti shkencor që paraqet ministri Blendi Klosi është një amulli dhe krejtësisht i paqartë, me rryma ajri që shtojnë kondicionimin apo njerëz që ndryshojnë sjelljen nga lëvizjet e energjisë. Ne, teleshikuesit, mund të mjaftoheshim me thjesht një fjalë, por artistët dhe bizneset kurrësesi jo.
Aq më tepër kur ekskluzive.al ka botuar një artikull investigativ me titull: VIDEO/ Blendi Klosi u jep mend botës për muzikën por vetë se ndal “përhapjen e virusit” në lokalin e tij në ish-Bllok, ku ka zbuluar se në lokalin e ministrit muzika vazhdon edhe pas fashës së orarit të përcaktuar nga qeveria.
Madje nëse argumenti shkencor i tij do ishte i saktë, lokali do kthehej në vatër e re virusi. A thua të ketë ndryshuar mendje ministri nga muzika në lokalin e tij? Këtë nuk mund ta dimë ende, deri sa ministri të kthjellojë qasjet e tij shkencore./Ekskluzive.al