Qeveria ka ndryshuar procedurat për sigurinë në gjykata dhe prokurori. Jo të pakta janë raste kur gjyqtarë janë shantazhuar, kërcënuar apo kanosur, por tani të gjitha institucionet e drejtësisë do të kenë një sistem tjetër sigurie.
Dje qeveria ka miratuar një vendim, ku përcaktohen të gjitha rregullat e sigurisë në gjykata e prokurori. Sipas vendimit, së pari do të sigurohet mbrojtja e personave, duke përfshirë magjistratët, punonjësit e administratës së gjykatës dhe të prokurorisë, palët në proces, personat e thirrur në proces, publikun dhe të gjithë përdoruesit e tjerë, nga aktet e agresionit apo nga aktet keqdashëse të vullnetshme.
Po ashtu do të bëhet siguria e tërësisë së ndërtesës së gjykatës dhe të prokurorisë, të të gjitha objekteve dhe pajisjeve të strehuara në to, duke përfshirë të gjitha hapësirat e jashtme që ndodhen në perimetrin e tyre, përfshirë edhe parkingun, nga rreziqet e zjarrit, elektrike si dhe rreziqe të tjera të dëmtimit.
Procedurat
Sipas vendimit janë Këshillat (KLGJ dhe KLP) që hartojnë politikën për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht, në ambientet e gjykatës apo të prokurorisë, e cila është në përputhje me politikën e përgjithshme kombëtare dhe përcakton qartë objektivat e përgjithshëm në lidhje me rregullin e sigurinë, si dhe pasqyron angazhimet e marra për përmirësimin e performancës së tyre në çdo gjykatë e prokurori.
Kriteret që duhet të udhëheqin këshillat në garantimin e rregullit dhe të sigurisë në institucionet përkatëse lidhen me: përgatitjen dhe përditësimin e programit për menaxhimin e rregullit e të sigurisë; planifikimin e nevojave buxhetore në fushën e rregullit dhe të sigurisë; përcaktimin e objektivave në fushën e rregullit e të sigurisë së ambienteve, si dhe në fushën e sigurisë në punë; përcaktimin e objektivave prioritarë të përmirësimit të performancës dhe të ndërhyrjeve në fushën e rregullit e të sigurisë; kryerjen e diagnostikimeve të sigurisë ndaj zjarrit në gjykata dhe prokurori, me qëllim identifikimin e të gjitha rasteve të mospërputhjes me rregullat e mbrojtjes nga zjarri dhe propozimin e planeve të sigurimit të ndërtesave; hartimin dhe zbatimin e planeve të veprimit, për të përmirësuar parandalimin e rreziqeve të rënies së zjarrit, si dhe të planeve të emergjencave sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen civile, si dhe shumë elemente të tjera.
Masat e sigurisë
Sipas vendimit, hyrja e publikut në godinën e gjykatës apo të prokurorisë realizohet vetëm nëpërmjet hyrjes kryesore, pas verifikimit të dokumentit të identifikimit nga punonjësi i sigurisë.
Hyrja kryesore e godinës së gjykatës apo prokurorisë mbikëqyret nga një ose disa punonjës të sigurisë. Çdo person i nënshtrohet procedurave të kontrollit dhe të sigurisë në momentin e hyrjes në godinë. Magjistratët, punonjësit e administratës së gjykatës dhe të prokurorisë, si dhe personat e autorizuar nga kryetari hyjnë në godinë nëpërmjet një hyrjeje të veçantë. Hyrja e personave të ndaluar apo të arrestuar, të paraburgosurve dhe të dënuarve të shoqëruar realizohet nëpërmjet hyrjes së veçantë për këto kategori.
Ndërkohë hyrja e automjeteve në dispozicion të gjykatës apo të prokurorisë, të automjeteve private të magjistratëve dhe të punonjësve të administratës, e mjeteve të cilat transportojnë të akuzuarit nga institucionet e paraburgimit dhe të dënuarit nga institucionet e vuajtjes së dënimit, për të marrë pjesë në seancë, si dhe të automjeteve të furnizimit dhe ofruesve të jashtëm të shërbimit, realizohet përmes portave të veçanta për hyrjen e këtyre automjeteve. Në raste të veçanta, sipas rastit, mund të lejohen të hyjnë edhe automjete të tjera, vetëm me autorizim paraprak të kryetarit.
Pajisjet
Sipas vendimit, në çdo gjykatë dhe prokurori duhet të merren një sërë masash. Godinat duhet të pajisen me detektorë elektronikë, që vendosen pranë hyrjes kryesore për diktimin e hyrjeve të paautorizuara. Duhet të vendosen pajisje të testuara për fikjen e zjarrit në ambientet e godinës së institucionit përkatës si dhe sistemit të alarmit të zjarrit. Nevojitet pajisja me mjete të sigurisë (çelësa, karta hyrjeje apo mjete të tjera të kësaj natyre) e punonjësve të administratës të institucionit përkatës, me qëllim realizimin e hyrjes nëpërmjet hyrjes së veçantë të godinës së institucionit. Tjetër element janë sistemi i kamerave, i cili është me detyrim. Po ashtu dritaret duhet të pajisen me sistem detektimi.