Revista më e madhe gjermane “Der Spiegel” i ka kushtuar një speciale trukimeve që ka bërë klubi shqiptar, Skënderbeu, në Kupat e Europës duke u dënuar më pas nga UEFA me 10 vite pezullim dhe një milon euro gjobë.
Gazetari Hardy Green që ka qenë i pranishëm në qytetin e Korçës, ka kryer disa intervista me tifozët bardhekuq dhe gazetarin Andi Deçka.
“Ata donin t’i bënin një shembull Shqipërisë, sepse është kaq e vogël dhe e parëndësishme! Ne shërbejmë si një parandalues”, shprehet një nga tifozët korçarë për “Der Spiegel” pas dënimit të skuadrës së tyre.
“Nuk dua të them që nuk ka pasur manipulime. Sigurisht që ka, por dënimi është absurd. Unë e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, drejtuesi i klubit do të largohet, për shkak se ai dëshiron që t’ia vlejë për investimet e tij”, deklaron një tjetër tifoz korçar.
Në vijim të artikullit të “Der Spiegel” tregohet se si arriti që të ngrihet në nivele të larta klubi i Skënderbeut fal disa biznesmenëve korçar ku në janar të vitit 2010, Agim Zeqo, u bë president dhe solli disa miq si investitorë. Midis tyre ishte ish-ministri shqiptar i Financave Ridvan Bode.
Në këtë artikull flet edhe gazetari, Andi Deçka, i cili në fjalën e tij thekson se problemet trukimeve kanë tronditur futbollin shqiptar duke boshatisur totalisht stadiumit.
Deçka shton se klika e Armando Dukës sundon kudo dhe asnjë politikan nuk përballet dot me të.
“Njerëzit nuk shkojnë më në stadium, pasi e shohin dhe nuk duan që të tallen me ta. Klika e tij sundon kudo, asnjë politikan nuk përballet me të”, shprehet Deçka.
Artikulli i “Der Spiegel” mbyllet me deklaratën e disa tifozave korçarë të cilet shprehen se, “Problemi është ndërthurja e ngushtë e politikës, me sindikatat e basteve dhe mafias së drogës – nëse nuk e kalojmë këtë, futbolli në Shqipëri ka vdekur”./TemA
Linku i speciales së Der Spiegel – https://www.spiegel.de/sport/fussball/albanien-wie-spielmanipulationen-fussball-zerstoeren-a-1291288.html