Avokati i njohur Idajet Beqiri ka thënë se SPAK duhet të hapë dosjen e 21 Janarit në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Arsyetimi i Beqirit bazohet tek veprimet e ish-kryeministrit Sali Berisha pas ngjarjes, që nga ndryshimi i alibive të vrasjeve, zhdukja e pamjeve filmike, refuzimi i zbatimit të urdhër-arresteve për zinxhirin komandues të Gardës por edhe mjaft veprimeve të tjera.
Ndërsa shtoi se juristë profesionistë duhet të përgatisin një kallëzim që të firmoset nga familjarët e viktimave të 21 janarit dhe të dorëzohet në SPAK.
“Ajo ngjarje ishte e mirëorganizuar, kriminale. Vrasjet atje ishin shtetërore. I bëri shteti. Mesa ka thënë ish-kryeministri i këtij vendi ai ka marrë përsipër të gjithë këtë krim të organizuar. Dhe ai është koka e atij krimi. Që nga dita e parë dhe deri në fund që tha do të vrisja edhe kryeministrin aktual të shtetit. Ai ka dalë e ka thënë se çfarë ka ngjarë atje.
Problem është papërgjegjshmëria e organeve të drejtësisë. Ata ishin snajper. Do t’i vrisnin se s’bën. Me qëllimi e vetëm për ta mbajtur pushtetin. Këto duan 4-5 specialistë të mirëfilltë që të ndërtojnë akuzën siç duhet. Provat i kanë dhe të çojnë çështjen për ta rishikuar në SPAK”, tha avokat Beqiri.