Ish-kryeministri Sali Berisha ka arritur që të qëndrojë larg dosjes “Hajdari”, të paktën dhe për disa kohë. Në gjyqin e Izet Haxhisë, si prokurori ashtu dhe pala mbrojtëse e kishin Berishën të parin emër që duhet të thirret si dëshmitar, për gjykatën nuk është momenti që ai të pyetet tani.
Kjo lëvizje ka ngjallur shumë reagime dhe gazeta ka folur me juristin Romeo Kara. Në një prononcim për gazetën “SOT”, ai ka deklaruar se kjo dosje e ka frikësuar tepër ish-kryeministrin. Sipas tij, vendimi për të mos e thirrur tani është një tjetër dëshmi se drejtësia kontrollohet prej tij. “Fakti që Berisha vetëm shmanget nga drejtësia ka të bëjë me paburrërinë e tij për t’u përballur me të vërtetat e tij.
Asgjë tjetër nuk e justifikon mospërballjen e tij me drejtësinë. Megjithatë më i rëndë është fakti që drejtësia kurrë nuk ka qenë e aftë ta gozhdoje atë përpara saj. Prej 30-vitesh Berisha qëndron mbi drejtësinë dhe ligjin duke u bërë sfida e vërtetë e drejtësisë dhe frymëzim për të gjitha padrejtësitë që tek personi i tij shohin pandëshkueshmërinë dhe garancinë për aktivitetin e tyre kriminal. Berisha e kontrollon këtë sistem drejtësie në shumicën e hallkave të tij si dhe e mban atë nen presionin e përhershëm të destabilizimit politik”, tha ai.
Frika e Berishës
Juristi Romeo Kara ka analizuar faktet se përse Sali Berisha i shmanget këtij procesi. Edhe të shtunën ish-kryeministri në një studio televizive deklaroi se ai ka folur një herë për këtë çështje te ambasada e SHBA.
Por për juristin Kara, ai rrezikon dhe të hetohet nga dëshmia që jep. Sipas tij, ai duhet të nxjerrë burimin dhe rrezikon shumë nëse dëshmitë nuk përputhen. Pa sipas juristit, seanca mund të sjellë shumë të papritura apo pyetje nga më të ndryshmet dhe kjo e shqetëson Berishën. “Padyshim që unë konstatoj vetëm frikë tek shmangia që ai i bën përballjes së të vërtetave të tij, përfshirë edhe atë të rastit “Hajdari”.
Nëse ai luan nga dëshmia që ka dhënë dikur, apo nuk tregon burimin e informacionit të tij, atëherë ai sigurisht që mund të gjendet përballë akuzave penale të cilat kanë kosto ligjore përveç anës morale. Ne nuk e dimë se me çfarë sfidash do të mund të përballet Berisha në këtë proces, por nuk do të ishte çudi që ai të pyetej nga pala përballë për një sërë momentesh kritike të tij, lidhur me këtë proces dhe me tërë aktivitetin e tij si president e më pas, për të cilin ai është akuzuar jo pak në media.
Nëse gjykata dhe prokuroria do të konstatojnë në një rast të tille konsumimin prej tij të veprave penale, sidomos të atyre që nuk parashkruhen, atëherë nuk do të ishte çudi edhe prangosja e tij. Për të gjitha sa thashë më sipër, Berisha do të bëjë të pamundurën që të rrijë jashtë këtij procesi. Mbajtja e këtij qëndrimi, rrënon moralin me të cilin ai kreu një grusht shteti, fitoi zgjedhjet në 2005 dhe bën homazhe tek lapidari i Azem Hajdarit”, tha ai.
Gjyqtari i dosjes “CEZ”
Juristi Romeo Kara, ka lëshuar kritika dhe ndaj gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili është kryesuesi i trupës gjyqësore në procesin ndaj Izet Haxhisë. Sipas tij, ai fillimisht i mbylli dosjen CEZ Berishës ndërsa tani po e amniston dhe për të dëshmuar për dosjen “Hajdari”.
“Gjyqtari Sallaku jo rastësisht është shfaqur pikërisht në gjykimin e disa çështjeve penale jetike për Berishën, Bashën dhe njerëzit pas tyre. Ai në mënyrë kriminale nuk realizoi investigimin e privatizimit të CEZ-it, bëri qëllimisht një klasifikim të mangët të veprave penale të konstatuara, nuk konstatoi moskompetencën e tij dhe e pushoi çështjen. Ai përsëri po shfaqet si shpëtimtar i Berishës, duke shmangur sa mundet dëshminë e tij apo duke e lënë atë dëshmi për në fund.
Ka shumë rëndësi që të kuptojmë se, Berisha duhet të dëshmonte pikërisht i pari në këtë proces, në mënyrë që ai të mos kishte mundësi për të luajtur në të pavërtetat e tij. Besoj se ky proces nuk duhet të vazhdojë nëse dëshmia e Berishës nuk jepet e para”, tha ai.