Kandidatët e përzgjedhur në fazën e parë për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të vijojnë t’iu nënshtrohen testeve të tjera për t’u bërë pjesë e kësaj strukture themelore të luftës ndaj korrupsionit.
Kjo është bërë ditën e djeshme e ditur nga vetë BKH, e cila tashmë njihet nga të gjithë me emrin si “FBI shqiptare”, e cila në një njoftim të shpërndarë për mediat deklaroi se kandidatët e kualifikuar do t’i nënshtrohen Testit të Poligrafit, ku do iu duhet të plotësojnë “Deklaratën e pasurisë dhe interesave private e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”.
“Kandidatët e kualifikuar që do t’i nënshtrohen Testit të Poligrafit, do të plotësojnë “Deklaratën e pasurisë dhe interesave private e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”. Kandidatët mund të informohen mbi mënyrën e plotësimit të deklaratave të pasurisë në linkun me udhëzimet e dhëna nga web i ILDKPI, si më poshtë: http://www.ildkpki.al/udhezues-i-deklaruesve-per-kandidat/. http://www.ildkpki.al/rregullore-dhe-udhezime/. Deklaratat e pasurisë, e plotësuar, do të dërgohen të skanuara, me e-mail, në adresën [email protected], jo më vonë se data, 02.12.2020.
Kandidatët e kualifikuar, që do t’i nënshtrohen Testit të Poligrafit, për vendin, datën, orën e zhvillimit të Testit dhe për udhëzime të hollësishme do të njoftohen në datën 02 Dhjetor 2020, në website-in e BKH-së, (BKH.al). Falënderojmë gjithë aplikantët që shprehën vullnetin për të marrë pjesë në këtë konkurrim”, thuhet në njoftimin e BKH. Kujtojmë që ecuria e reformës në drejtësi, ngritja e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duket se ka alarmuar tej mase politikën në Shqipëri, e sidomos zyrtarët e opozitës joparlamnetare, e cila ka shpërthyer në sulme ndaj këtyre organeve.
Por nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë solide dhe stoike, duke e mbështetur BKH dhe kandidatët që garojnë për t’u bërë hetues të ardhshëm. “Koha për të ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Kjo është një mundësi për të bërë një ndryshim duke u bërë një hetues special i FBI. Afati i fundit i aplikimit është sonte në mesnatë. Mos u tregoni të kënaqur të uleni dhe të ankoheni – ngrihuni dhe veproni”, shkruante ambasadorja e SHBA pak kohë më parë në një prej statuseve të saj në rrjetet sociale.