Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me hidhërim të thellë konfirmon humbjen e jetës së mjekut Anibal Byberi në spitalin “Shefqet Ndroqi”, si pasojë e COVID-19.
Mjeku pneumolog 53 vjeçar, me origjinë nga Tropoja është konfirmuar pozitiv me virusin e rrezikshëm pak ditë më parë dhe vijonte trajtimin në banesë.
Pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, mjeku Byberi është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku pavarësisht ndihmës së menjëhershme të ofruar nga stafi mjekësor, fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e insuficencës së rëndë respiratore.
Drejtuesja e Shërbimit të Pneumologjisë, në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, Silvana Bala bëri të ditur se mjeku ka shkuar mbrëmë në spital në parametrat e fundit, pasi kishte qëndruar 10 ditë në shtëpi.
Më tej ajo shtoi se fatkeqësisht kishte një obezitet shumë të madh, dhe kjo ka bërë që të mos e përballojë dot situatën.
“Anibali ka qenë një nga shokët e mi të afërt ka kryer specializimin para 4 viteve në spitalin tonë.”
Mjeku Anibal Byberi vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. Pas shumë vitesh punë në vendlindjen e tij, ka punuar për disa kohë si mjek në burgun 302, ndërsa aktualisht nuk ishte në punë, ndërsa këto ditë do të konkuronte në portalin “Mjekë për Shqipërinë”.