Zbardhet plani i Bashkimit Evropian sa i përket reformës në drejtësi. Dy ditë më parë, ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca firmosi një marrëveshje për t’i dhënë një fond Shqipërisë që të çojë përpara reformën në drejtësi dhe vetingun. Bashkimi Evropian ka zbardhur dje detajet se si do të shpërndahet fondi. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së financimit IPA, BE ka dhënë një deklaratë për shtyp.
Sipas deklaratës, BE-ja për reformën në drejtësi, me 42 milionë Euro, synon të kontribuojë në forcimin e pavarësisë, transparencës, efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare, në përputhje me standardet evropiane, si dhe do të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në sistemin e burgjeve. “Kjo shumë përfshin një zarf prej 34 milionë Eurosh, i cili vihet në dispozicion posaçërisht për të kontribuar në buxhetin e Shqipërisë pas arritjes së rezultateve të zbatimit të strategjisë së drejtësisë. Kjo përfshin përmirësime në kornizën institucionale dhe efikasitetin operativ të sistemit gjyqësor, për të konsoliduar arsimin juridik dhe për të përmirësuar specializimin e magjistratëve dhe personelit gjyqësor, rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe të masave antikorrupsion; përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë duke përdorur procedurat e modernizuara, sistemet IT dhe pajisjet elektronike”, shkruhet në deklaratën e BE. Sipas raportit të BE, aksioni “BE për reformën në drejtësi” synon të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit, zbatimin e ligjit dhe të zvogëlojë korrupsionin në agjencitë qeveritare dhe gjyqësorin.
BE deklaron me anë të këtij raporti se do të kontribuojë në forcimin e pavarësisë, transparencës, efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare, në përputhje me standardet evropiane, dhe do të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në sistemin e ndëshkimeve. “Aksioni mbështet zbatimin e strategjisë së sektorit të drejtësisë, e cila synon të përmirësojë kornizën institucionale dhe efikasitetin operacional të sistemit gjyqësor, të konsolidojë edukimin juridik dhe të përmirësojë specializimin e magjistratëve dhe personelit gjyqësor. Ai synon më tej rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe të masave antikorrupsion; përmirësimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë duke përdorur procedura të modernizuara, sisteme IT dhe pajisje elektronike, dhe mjete për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në raportin e BE. Objektivi i përgjithshëm i BE, është forcimi i rendit ligjor dhe reduktimi i korrupsionit në agjencitë qeveritare dhe të gjyqësorit.