Bie përfundimisht plani i presidentit për të shkuar në zgjedhje në 13 tetor. Pas zhdekretit të 30 qershorit, kreu i shtetit caktoi 13 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, datë kjo e cila që në fillim u pa qartë që ishte e dështuar. Muajin e kaluar LSI, PR dhe PAA i dërguan KQZ një kërkesë për tu regjistruar për zgjedhjet e 13 tetorit, kërkesë kjo që u injorua nga 4 anëtarët e KQZ.
Përveç këtij dështimi, një tjetër fakt që tregon që 13 tetori ka rënë është edhe nisja e fushatës zgjedhore. Në bazë të nenit 77 të Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të nisin fushatën një muaj përpara datës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë se ditën e djeshme skadoi afati dhe asnjë subjekt politik nuk u përgatit për fushatë zgjedhore. “Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve; Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medies, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor. Duke u bazuar në skadimin e të gjitha afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, plani i presidentit Ilir Meta ra përfundimisht. Partia Demokratike, e cila është partia më e madhe opozitare në vend e la në baltë kreun e shtetit, duke dalë hapur kundër 13 tetorit. Kreu opozitar Lulzim Basha prej kohësh ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor pa u plotësuar më parë kushtet që ai ka vendosur, për qeveri transitore dhe zgjedhje të parakohshme pa Ramën kryeministër. Kjo i ka dhënë një goditje të madhe Metës dhe LSI.
13 tetori përçan opozitën
Por data e 13 tetorit për mbajtjen e zgjedhjeve vendore e dekretuar nga Meta duket se e ka përçarë opozitën. Ndonëse Basha shprehet i vendosur për të mos marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor pa u plotësuar më parë kushtet e tij, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka shprehur të kundërtën. Pak ditë më parë, ajo deklaroi se partia që ajo drejton do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, edhe me Ramën kryeministër. “Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve. Pse e themi nuk kushtëzojmë momentin e zgjedhjeve, sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të zhbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqas, për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, të demokracisë. Ne duhet të përplasemi, në duhet të luftojmë me bishën, sepse nëse nuk luftojmë me bishën nuk ka kush ta mundë bishën dhe në këtë rast, bisha është kapja e pushtetit nga kryeministri. Pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri transitore dhe pa Ramën kryeministër, për ne si LSI mendojmë që është e domosdoshme përballja në zgjedhje e të gjithë opinionit publik”, u shpreh Kryemadhi pak ditë më parë. Por të gjitha tentativat e presidentit Ilir Meta për të mbajtur në skenën politike LSI janë të dështuara. Zhvillimet e fundit, por edhe skadimi i afatit për nisjen e fushatës zgjedhore treguan qartë se 13 tetori në Shqipëri do të jetë një ditë e zakonshme dhe jo një ditë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. /Elisjeda Kiko/ Sot