Mazhoranca socialiste dhe opozita parlamentare duket se po shkojnë drejt dakrodësisë për heqjen e koalicioneve. Pak ditë më parë një grup deputetësh të opozitës parlamentare të udhëhequr nga deputeti Myslim Murrizi kanë dërguar në Kuvend një draft për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndërkohë që dje Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit në një mbledhje të përbashkët online kanë dëgjuar propozimin e minorancës parlamentare.
Kryetari i grupit demokrat, Myslim Murrizi prezantoi nismën e opozitës parlamentare në emër të 29 deputetëve, ndërsa kërkoi hapjen e listave, prag prej 5% dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. “Nëse hapim listat, duhet të shkojmë dhe të garojmë, ku do shohim veten se sa do bindim elektoratin me programin dhe figurat që do të propozojmë. Nëse shkojmë drejt listave të hapura indirekt kufizohen edhe koalicionet. Mbi 73 parti kurrë nuk e kanë kaluar pragun 1%.
Kjo që ne propozojmë sot, ka qenë e sanksionuar dhe në raportet e OSBE që në vitin 2008, ku ata kanë rekomanduar si sistem më të mirë është proporcional me lista të hapura, por nuk u dëgjua”, deklaroi Murrizi.
Më 30 korrik votohet për ndryshimin e sistemit
Pasi dëgjoi prezantimin e deputetit Murrizi, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka treguar dje kalendarin e diskutimeve për kërkesën e opozitës, ndërsa zbuloi se ka përcaktuar datën 30 korrik si ditën kur do të votohet në Parlament nëse do të kemi apo jo ndryshim të sistemit zgjedhor sipas kërkesës së deputetëve të opozitës parlamentare. Zoti Ruçi ka bërë me dije se gjithë muaji korrik do të jetë i ngjeshur me raportime maratonë, ku Këshilli i Legjislacionit do të zhvillojë seanca dëgjimore me përfaqësuesit e shoqërisë civile, botës akademike, institucioneve shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Më pas do të ketë seanca për miratimin e ligjit dhe në datën 30 korrik drafti do të shkojë për votim në Kuvend. “E premte, datë 10.07.2020; Diskutimi në parim i projektligjit. E Hënë, datë 13.07.2020; Diskutimi nen për nen i projektligjit. E Mërkurë, datë 14.07.2020; Përgatitja dhe miratimi i raportit të mbledhjes së përbashkët për t’ia paraqitur seancës plenare. E Enjte, datë 30.07.2020; propozimi do të kalojë në seancë plenare për tu votuar”, deklaroi mes të tjerash kryeparlamentari Gramoz Ruçi.
PS drejt paktit me opozitën parlamentare
Por fakti që mazhoranca socialiste ka pranuar që të diskutojë propozimin e opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor, rritjen e pragut elektoral me 5% dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, duket qartë se po shkohet drejt një pakti. Kjo pasi vendosja e datës 30 korrik si afati i fundit për të votuar në Kuvend nismën e opozitës së re, është qartë një manovër që i jep një sinjal të qartë opozitës së Lulzim Bashës, se drafti i arritur mbrëmjen e 5 qershorit mund të lëkundet. Pra, vendimi i Partisë Socialiste për të diskutuar nismën e opozitës parlamentare ndodhi dje, në ditën kur Këshillit Politik të reformës zgjedhore i skadojnë afatet dhe do të firmosë dokumentin e reformës zgjedhore. Përmes kësaj lëvizje PS i ka bërë të ditur Bashës, që edhe mund ta modifikojë atë dokument, sipas amendamenteve të Murrizit.
Thënë troç mazhoranca për një muaj mban frymën e opozitës së Bashës, por edhe nga ana tjetër i jep mundësi opozitës së Murrizit që të fitojë terren në publik dhe brenda influencave të së djathtës. Madje, faktin se opozita parlamentare dhe Partia Socialiste mund të shkojnë drejt një pakti për ndryshimin e Kushtetutës që rrjedhimisht do çojë në ndryshimin e sistemit dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore e pohoi edhe një deputeti i opozitës së re për gazetën “SOT”. Ky i fundit që preferoi të qëndronte anonim, theksoi se mazhoranca iu ka dhënë garanci se do ta diskutojë dhe votojë propozimin e tyre, ndërsa shtoi se opozita do të votojë kundër draftit të arritur mes PD-LSI dhe PS mbrëmjen e 5 qershorit sapo ai të shkojë në Parlament për votim./ RIGELS SELIMAN