Lulzim Basha ka nisur ditën e djeshme diskutimet, sa i takon mënyrës se si do të vijohet me axhendën opozitare. Ditën e djeshme, kryedemokrati Basha ka zhvilluar një maratonë takimesh, ku fillimisht në orën 10:30 është takuar me aleatët e tij, ndërsa më pas me Kolegjin e Kryetarëve, Kryesinë e partisë dhe ish-deputetët demokrat. Gazeta ka mësuar disa detaje nga këto mbledhje, teksa një vëmendje të veçantë i është kushtuar protestave.
Kështu, protestën e madhe opozita ka vendosur ta thërrasë në 25 maj ora 19:00, ndonëse në tryezë ishin hedhur edhe disa data të tjera. Por arsyeja se përse opozita ka vendosur që të zhvillojë tubimin e radhës në një kohë kaq të afërt lidhet me një strategji të ndjekur prej saj.
Duke qenë se në qershor janë zgjedhjet vendore, opozita synon që përmes kësaj proteste t’i ushtrojë presion kryeministrit Edi Rama, në mënyrë që ky i fundit të largohet përpara nisjes së fushatës. Po ashtu, të njëjtat burime saktësuan se një tjetër arsye që ka detyruar opozitën që të thërrasë protestën në fund të majit ka të bëjë edhe me zgjidhjen e krizës.
Teksa ndërkombëtarët, por edhe vetë Basha e Rama kanë dhënë sinjale se palët mund të ulen në negociatat, opozita synon që përmes protestave, t’i dërgojnë mesazh shefit të qeverisë që të ulet sa më parë e të dialogojë me opozitën për zgjidhjen e krizës. Nga ana tjetër, sipas informacioneve mësohet se një tjetër arsye se përse u vendos që protesta e radhës të zhvillohet në një kohë kaq të afërt ka të bëjë me organizmin e saj.
Deri tani opozita ka zhvilluar pesë protesta kombëtare dhe disa të tjera para Parlamentit, ndërsa ka bllokuar edhe rrugët dy herë. Por të gjitha këto nuk kanë prodhuar asgjë dhe është vënë re një zbehje e tyre. Kështu që, duke qenë se në qershor është vapë dhe nis edhe fushata, opozita ka vendosur që të zhvillojë tubimin e radhës në 25 maj, që të ketë sa më shumë pjesëmarrës dhe grintë.
Por mbajtja e protestës në këtë datë, tregon qartë se opozita shqiptare vijon ende që të mbajë të njëjtin ritëm si opozita serbe, pasi si në Beograd, ashtu edhe në Tiranë, tubimet anti-qeveritare zhvillohen në të njëjtën ditë dhe orar. Pra, duket qartë se kemi të bëjmë me një skenar serb. Ndërkohë dje nuk u mor asnjë vendim sa i takon bllokimit të rrugëve, duke dhënë sinjal se PD e LSI po tërhiqen nga ky skenar.
Rigels Seliman