Ndërsa na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe 22 ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës zgjedhore, opozita e bashkuar duket se i ka sytë nga Gjykata Kushtuese, me qëllim heqjen e kufizimit të mitingjeve.
Pak javë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes një akti normativ, i cili u votua nga Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të ndalonte grumbullimet e qytetarëve në më shumë se dhjetë persona. Por ky vendim hasi në kundërshtinë e fortë të opozitës jashtëparlamentare, pasi ajo e pa këtë akt si të qëllimshëm dhe që penalizon më shumë atë, në një kohë që duhet të bindë qytetarët që ta votojnë në 25 prill.
Për rrjedhojë Partia Republikane depozitoi në 4 dhjetor 2020 një padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin dhe shfuqizimin e urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të datës 17 nëntor 2019, që ndalon grumbullime më shumë se 10 persona, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë martesore etj. Ndërkohë ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar një mbledhje për këtë çështje, ndërsa mësohet se vendimin Gjykata Kushtetuese do ta japë në një moment të dytë.
Xhaferllari rreshtohet hapur krah qeverisë
Por gazeta ka mësuar mbledhja e djeshme e Gjykatës Kushtuese nuk ka kaluar pa debate. Ka qenë anëtarja e kësaj gjykate, Marsida Xhaferllari, e cila është rreshtuar hapur kundër qeverisë dhe pro opozitës, duke justifikuar kështu besimin që i dha presidenti Ilir Meta në atë post.
Gjatë fjalës së saj, gjyqtarja Xhaferllari theksoi se vendimi i ministrisë vlen vetëm për opozitën, ndërkohë që ironizohet nga institucionet e tjera shtetërore, përfshi Parlamentin. Madje, zonja Xhaferllari nuk ia kurseu përfaqësuesit të ekzekutivit krahasimet me çfarë sheh përditë në mjetet e transportit publik, bare dhe restorante. “Ministri i thotë Kryetarit të Kuvendit se numri i njerëzve brenda ambienteve të Kuvendit që ushtrojnë pushtet ligjvënës nuk quhet grumbullim masiv.
Numri i njerëzve në restorante dhe bare kur janë mbi 10 persona a quhet grumbullim masiv? Mbledhjet e qeverisë kur marrin pjesë më shumë se 10 persona a quhet grumbullim masiv”, deklaroi anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari. Por nga ana e tij, përfaqësuesi i ministrisë së Shëndetësisë, Abaz Deda u shpreh se lejohet grumbullimet duke respektuar masat anti-Covid.
“Mund të lejohet duke respektuar rregullat e Covid, distancimin social dhe mbajtjen e maskave. Në rast të një tubimi politik në shesh nuk mund të kesh alkool, nuk mund t’i thuash tjetrit të largohesh një metër e gjysmë, është e pakontrollueshme. Në këtë kontekst, është e ndryshme grumbullimi i individëve të përgjegjshëm për ushtrim të aktivitetit publik dhe është e ndryshme kur thirren njerëzit në një miting politik”, deklaroi Abazi.
Megjithatë, pas debateve trupa e Gjykatës Kushtetuese kërkoi nga ekzekutivi numrin e gjobave që u janë vënë subjekteve politike për shkelje të urdhrit që ndalon aktivitetet partiake përpara se sa të dalë me një vendimmarrje për këtë çështje. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese i dha dy ditë kohë përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë që të çojnë dokumentet dhe argumentet që arsyetojnë vendimin e tyre për ndalimin e tubimeve politike.