Marrëveshja për njohjen e patentave mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se nuk po jep efekt, pavarësisht premtimit të dy ministrave të jashtëm Kotzias dhe Bushati. Kjo pasi pala shqiptare e ka futur në fuqi marrëveshjen për njohjen e patentave me Greqinë, ndërkohë që autoritetet helene nuk kanë vepruar ende.
Thënë ndryshe drejtuesit shqiptarë të mjeteve përsëri duhet të përdorim patenta ndërkombëtare për të udhëtuar me mjet drejt Greqisë. Megjithatë për të dhënë më shumë detaje rreth kësaj situate, ditën e djeshme ka folur edhe specialist i transportit rrugor në Ministrinë e Transporti, Nikolin Bërxhiku. Gjatë një prononcimi për mediat, Bërxhiku zbuloi se Drejtoria e Transportit Rrugor është në pritje të njoftimit nga Greqia, ndërsa dha edhe disa detaje nga marrëveshja. “Sipas asaj që është rënë dakord do të njihen reciprokisht kartonët e lejeve të drejtimit që janë në fuqi në vendet përkatëse, formati shqiptar i 2005 dhe 2017 dhe formatet duke filluar nga ato të viteve ‘80 që janë në përdorim në Greqi.
Këto formate që janë të vlefshme, sipas përkatësisë së shpjeguara, njihen automatikisht”, deklaroi Nikolin Bërxhiku, specialist i transportit rrugor. Ndërkohë ai bëri me dije se konvertimi i patentave mund të bëhet në momentin që vendoset rezidenca në shtetin përkatës. “Pra, nëse një shtetas shqiptar pajiset me dokumenta qëndrimi në Greqi, mund të pajiset me patentë pa pasur nevojë të kryejë kurs, por duke bërë një kërkesë pranë autoriteteve greke, shoqëruar me një raport mjekësor. Kujdes! Mbajtësit e patentës duhet të kenë moshën e parashikuar në legjislacionin e shtetit grek.
Të dyja autoritetet, në rastin e palës shqiptare është Drejtoria e Shërbimeve e Transportit Rrugor pranojnë dokumentacionin, në këtë rast lejen e drejtimit greke, të shoqëruar me një raport mjekoligjor të vlefshëm siç kërkohet nga legjislacioni i të dy palëve, shqiptare apo greke”, nënvizoi specialist i transportit rrugor Nikolin Bërxhiku. Marrëveshja me Greqinë parashikon vetëm njohjen e patentave, por jo të lejeve të qarkullimit, për të cilat duhet marrë formati ndërkombëtar.