Përplasjet e opozitës dhe presidentit me mazhorancën duket se po çojnë drejt kaosit institucionet shqiptare. Vetingu po avancon, por bashkë me të dhe ngërçi në drejtësi. Opozita akuzon mazhorancën për situatën e krijuar, ndërkohë që kjo e fundit kërkon konsensus për të zgjidhur të gjithë problemet. Sipas një vëzhgimi të bërë nga gazeta, janë rreth 8 institucione në vend që janë në ngërç, shumica e të cilave i përkasin sistemit të drejtësisë. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë dy organet të cilat nuk marrin dot asnjë vendim. Por janë dhe disa organe të tjera që për shkak të luftës politike nuk po ngrihen dot. Ato janë: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Drejtësisë. Në ngërç është dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë, jashtë sistemit probleme ka SHISH, pasi është pa kryetar.
Por shumë shpejt listë mund t’i bashkohet dhe KLSH. Por kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë situatë? Sigurisht që e gjithë politika është përgjegjëse, por zanafilla e probleme nis që në vitin 2016. Edhe pse u arrit konsensusi i 21 korrikut të famshëm, tetori solli sërish përplasje politike për reformën në drejtësi. Partia Demokratike ankimoi tre ligje në Gjykatën Kushtetuese. Në ligjin për organet e reja të drejtësisë dhe në atë për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve u rrëzuan disa nene. Ndërkohë që ligji i vetingut nuk u rrëzua. Mirëpo rruga që ndoqi Gjykata Kushtetuese solli mjaft vonesa. Ligji u pezullua për rreth 3 muaj dhe kjo krijoi mjaft probleme.
Por teksa më pas u duk se reforma do niste PD ngriti në shkurt çadrën para Kryeministrisë dhe zvarriti deri në fund të majit zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vetingut. Pra vetëm nga bojkoti i PD dhe ankimimet në Kushtetuese reforma u zgjat me rreth 8 muaj.
Përplasjet aktuale
Pasi ndërkombëtarët detyruan PD të futej në Parlament në maj 2017, reforma në drejtësi nisi avancimin e saj. PD duhej të jepte konsensusin e saj për të amenduar ligjet që rrëzoi Gjykata Kushtetuese, por edhe sot nuk ka asnjë lëvizje. Nëse nuk ndryshojnë nenet, KLGJ e KLP nuk funksionojnë. Por PD do i bllokojë këto organe pasi kërkon pazare me PS. Ajo ka kërkuar që të ndryshojë ligji dhe anëtarët aktualë nga avokatia dhe shoqëria civile të rizgjidhen.
Por pjesë e pazareve duket se është bërë dhe Presidenti Meta. Ai ka në dorë dekretin për kreun e ri të SHISH dhe prej 8 muajsh e mban në sirtar. Nga ana tjetër ai duhet që të hedhë shortin për KED, pasi ky organ ka mbetur me 4 anëtarë. Akoma nuk ka asnjë lëvizje prej tij. Një tjetër ngërç që ka krijuar opozita është ligji për magjistratët. PS ka propozuar që të diplomohen dhe emërohen 50 magjistratë. Por PD e LSI kanë dalë kundër rikthimit të kompetencave për KLD dhe Prokurorinë e Përgjithshme. PD ka propozuar një paketë me 7 kushte, ku kërkon që reforma në drejtësi të nisë nga e para dhe gjithçka të bëhet me konsensus.
Pak ditë më parë dhe presidenti deklaroi se atje ku ka nevojë për ndryshime ligjore duhet të bëhen, duke u rreshtuar krah PD. Por PS ka deklaruar se opozita kërkon pazare për zhbërjen e reformës në drejtësi. Vetë Rama ka than se nuk do negociojë për diçka të tillë.
Vijën gjermanët
Situata e krijuar në vend ka bërë që në Tiranë të zbarkojnë dhe vëzhgues të huaj. Dje zhvilluan takime me eksponentë të politikës shqiptare deputetët gjermanë Josip Juratovic dhe Martin Roseman. Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia në qershor pritet të marrin negociata, ata kanë nisur një monitorim te të dyja vendet se sa po plotësohen kushte. Dje ata takuan kreun e grupit të PS, Taulant Balla dhe janë informuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi, ku kërkuan konsensus mes palëve./Sot