Nga Anri Bala
Ne këto ditë, tejet të vështira për vendin, më bëri përshtypje një lajm tejet i turpshëm dhe i neveritshëm. Përveç gropës që jemi futur, nuk mungojnë edhe iniciativa solidariteti për të kontribuar sadopak në menyrë modeste në ndryshimin e gjendjes ekonomike, e të vetmit që nuk i’u përgjigjën thirrjes së bërë nga Meta, Ruçi dhe Rama… ishin pikërisht organet e drejtësisë së re: SPAK, KLGJ, KLP, veting e gjithëfarë emrash, që vetëm drejtësi nuk kanë sjell, por veç amulli dhe zhgënjim.
Madje kolegët e tyre, por edhe këta që erdhën nga ajo drejtësi kriminale e parasë dhe e korrupsionit, na vidhnin, por me dëshirën tonë, kurse sot na grabisin ligjërisht dhe moralisht me pagat stratosferike që u janë caktuar si ajkë e drejtësisë së shkuar, që vlen për drejtësinë e së ardhmes. Në fakt, për mua jo që nuk vlejnë, por na kanë vënë në dyshim edhe autoritetin e organeve të reja, duke mos dhënë asnjë provë të funksionimit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, ku të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit.
Janë vepra penale të rënda, që qytetarët shqiptarë prisnin të gjykoheshin dhe të merrnin atë që meritonin ligjërisht autorët, që shumica janë eskorta e fëlliqur politike që ka drejtuar këtë vend, që çuditërisht manipulohen dhe hidhen e priten në duar shërbëtorësh, për të mos u gjykuar kurrë.
Lazarët, hajdarët dhe ushtarët, nuk mungojnë dhe më krijojnë dyshimin, se janë shtuar për të na e kthyer drejtësinë në një “mollë të ndaluar” për shqiptarët.
Si mundet, që një çeshtje si ajo e CEZ të sfumohet dhe të mos gjykohet, vetëm se i akuzuar është Sali Berisha, Ilir Meta, Shkëlzen Berisha dhe një pjesë e rëndësishme e qeverisë së kaluar?!
Si ështe e mundur që të lobosh me 1 milion dollarë për të nxirë Shqipërinë dhe të mos japësh asnjë letër, makari fallco, se ku u gjëndën këto para?!
Si është e mundur të dëgjosh ende se një qytetarë, burgoset dhe vetvritet për 1200 lekë vjedhje, ndërsa grabitësit e milionave, as që duan t’ia dinë për zgrabjet e tyre, madje i publikojnë ato si para të ligjshme duke i kthyer në pallate, vila, toka e prona, fustane, çanta e kaisha pët gratë e më shumë për dashnoret, pa punuar as edhe një ditë të vetme, atje ku punohet.
Si është e mundur, që janë me kaq fat këta politikanët tanë, që çështjet e tyre shorti i drejtë ua hedh në prehër shërbëtorëve më të bindur të sojit?! Nuk bie era poshtërsi, që dosja Hajdari u gjykua në themel nga nje ushtar i Berishës, apo ajo e Lobimit të Bashës nga gruaja e Azemit, apo ajo e CEZ-it nga një “ushtar” i PD-së dhe që të gjithë pa kaluar në sitën e vetingut.
Struktura më e rëndësishme e SPAK ka degjeneruar në funksionin e saj. Hapja e portave për kallzime qesharake nga PD dhe ILir Meta, e bënë më qesharake funksionin dhe atributet e saj. Sipas ligjit që e krijoi dhe e bekoi, SPAK do të thotë strukturë e posaçme antikorrupsioni. Kallzimet e Metës për Dvoranin dhe kallzimet e njëpasnjëshme të lularëve për vepra që askush nuk i ka kryer, pa as një provë dhe fakt korruptiv, e bëjnë edhe më të diskretituar këtë strukturë.
Pranimi i kallëzimeve kolektive në emër të partisë apo të kullës së barit, Presidencë, e bëjnë bashkëpuntore në krimin antiligjor drejtësinë e shumëpritur, duke e klasifikuar si drejtësi e papritur.
Këto tentativa të qëllimshme, për të denigruar drejtësinë e re, janë një akt i rëndë kriminal. Nuk e kuptoj se si munden këto magjistra apo prokuror, të kenë harruar se kallëzimi i rremë është vepër penale. Pra nëse i akuzuari, nuk dënohet penalisht për mungesë provash dhe faktesh, atëherë duhet të paguajnë akuzuesit për shpifje, shantazh dhe kallzim të rremë kushdo qoftë. Por kjo, jo që nuk po ndodh, por me sa duket, as që ka për të ndodhur kurrë.
Shqiptarët dhe bashkë me ta edhe unë, po paguajmë kallpin për flori, sepse drejtësia që prisnim ,vetëm po na rrjep dhe rrjepësit, edhe në këto ditë të vështira, nuk kthejnë as gjysmën e asaj që marrin kot duke mos bërë asgjë.
Për kujtesë dhe për të mos u ngrënë hakun diçka po bëjnë: Janë kthyer në shurrtore, ku mbaron punë çdo ditë Meta dhe PD, një herë në kokë dhe nganjëherë dhe në gojë./ekskluzive.al