Portierët e përfaqësueses tonë, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, po kalojnë momente të shkëlqyera në kampionatin italian, duke qenë ndër më të vlerësuarit e madje liderë në ekipet e tyre, respektivisht me Spalin dhe Lacion. E ndërsa Berisha vlerësohet në top-20, për Strakoshën nuk ka diskutim që është shtyllë e Lacios.
Në fakt, lacialët po bëjnë paraqitje shumë të mira dhe në ndeshjet e fundit, portieri Thomas Strakosha nuk ka pësuar gola duke e konsideruar këtë diçka të mirë sepse vërteton që nuk i jep asgjë kundërshtarit. Në një intervistë për “Lazio Channel”, gardiani shqiptar u shpreh se skuadra e tij nuk i trembet askujt, duke sfiduar në këtë mënyrë Juventusin, kundërshtar me të cilin do të përballet në fundjavë. Ai shtoi se në rrugët e Romës, përshëndetet nga tifozët e shumtë dhe kjo e bën të ndihet më mirë. “Kemi nevojë për mbështetje sepse na karikon për të shkuar më para. Mbështetjen e tifozerisë ne nuk e kemi vetëm në stadium por edhe në qytet dhe në rrugë. Moment të tilla na japin shumë kënaqësi dhe shpresoj që të japim më shumë në fushë. Më vjen mirë që nuk kam pësuar gola sepse kjo do të thotë që nuk i kemi dhënë asgjë kundërshtarit.
Jam gjithmonë gati për më të mirën dhe për të mbajtur sa më shumë portën e paprekur”, theksoi Strakosha. Më pas ai komentoi përballjen e radhës ndaj Juventusit, ku Lacio e tij do të ketë në fundjavë një duel shumë të fortë. Por Strakosha nuk i trembet Juves e as sulmuesve të saj, përfshi “yllin” portugez, Kristiano Ronaldo. “Të shtunën është një ndeshje shumë e rëndësishme për objektivat tona dhe e dimë se çdo pikë është e nevojshme por nuk i kemi frikën askujt. E respektojmë Juventusin sepse është një klub i madh dhe duan të vazhdojnë por edhe ne do të bëjmë më të mirën”, shtoi Strakosha.
Berisha në top-20 të Serisë A
Etrit Berisha ka arritur të marrë sërish një rol protagonisti në kampionatin italian dhe tashmë e sheh veten pjesë të skuadrës së SPAL-it, aty ku po vlerësohet pozitivisht javë pas jave me paraqitjet e tij. Portieri i Kombëtares, i ka siguruar disa pikë me vlerë skuadrës së SPAL dhe ndaj Interit, arriti të evitonte edhe goleadën. Këto paraqitje, e kanë vënë Berishën në formacionin më të mirë në vitit në Itali por vlerësimet nuk ndalen me kaq. “Tuttomercato” e ka listuar portierin kuqezi në mesin e 20 më të mirëve në kampionatin italian, duke qenë padyshim një protagonist. Ai është vlerësuar me notën 6.46, aq sa kanë edhe Xheko dhe Nandez ndërkohë që ka lënë pas në këtë 20-she, Antonio Kandrevën. Lista me më të mirët, kryesohet nga Imobile me 6.96 Ndërkohë që në listën e më të dobëtëve ka emra mjaft të njohur në kampionat. Futbollistë si Piotek, Bernardeski, De Paul, Kalabria e shumë të tjerë nuk po arrijnë të bindin me skuadrat e tyre respektive dhe tashmë e shohin veten në listën e futbollistëve më të dobët, quajtur ndryshe edhe si “20 – FLOP”.
Shqiptarët shkëlqejnë në Kroaci
Sulmuesi kuqezi, Myrto Uzuni, tregohet sërish protagonist me Lokomotiven e Zagrebit. 24-vjeçari ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, teksa pas golit të shënuar në fundjavë në fitoren 4-0 Goricës, këtë herë Uzuni la gjurmë me skuadrën e tij në takimin ndaj Sibenik, e vlefshme për fazën çerekfinale të kupës së Kroacisë. Futbollisti kuqezi do t’i jepte avantazhin të tijve në minutën e 24-t, teksa i vetëm përballë portierit Uzuni u tregua i saktë duke e dërguar topin në fundin e rrjetës. Po në të njëjtën sfidë një tjetër element kuqezi mundi të gjente golin. Bëhet fjalë 20-vjeçarin Enis Cokaj. Cokaj do të shënonte golin e tretë për Lokomotivën e Zagrebit në minutën e 82-të. Në fushën e blertë që nga minuta e parë ishin dhe Lirim Kastrati së bashku me Indrit Tucin. Për Uzunin ky ishte goli i 5-t me fanellën e Lokomitves së Zagrebit në 15 ndeshje të luajtura, ndërsa Çokaj festoi golin e tij të dytë mes kampionatit dhe Kupës me fanellën e klubit kroat.
Adriatik BALLA