Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla, në një deklaratë për mediat ka bërë një pasqyrë të shkurtër të zgjedhjeve brenda kësaj partie, dhe numrin e anëtarëve që votuan.
Sipas Ballës, 76,769 anëtarë të PS kanë marrë pjesë sot në votime sipas parimit një anëtar një votë për të zgjedhur delegatët, ndërkohë që ka theksuar se në këtë numër nuk përfshihen anëtarët që kanë votuar përmes postës.
“76,769 anëtarë të PS morën pjesë në votime përmes parimit “një anëtar një votë” për të zgjedhur delegatët. Nuk janë përfshirë në këtë numër anëtarët që kanë votuar përmes postës. Sa herë PS ka zhvilluar procese të brendshme, ka qenë referim për partitë e tjera në vend”, ka thënë Balla.
Më tej numri dy i PS, ka thënë se risia në këto zgjedhje ka qenë barazia gjinore, pasi delegatët kanë garuar në mënyrë të barabartë, 50% gra e vajza dhe 50% djemë e burra.
“Barazia gjinore, risia më e madhe e këtyre zgjedhjeve sepse garuan në mënyrë të barabartë djemë e vajza dhe burra e gra. Ka nevojë për energjizimin, organizimin kapilar të partisë dhe hapjen e saj. Të gjithë delegatët janë të ndarë në mënyrë të barabartë, gjysma gra e vajza dhe gjysma tjetër djemë dhe burra. PS garanton shanse të barabarta në përfaqësim mes grave dhe burrave”, shtoi Taulant Balla.