Një ndeshje historike! Për herë të parë Shqipëria ka një stadium të parametrave evropian, pagëzuar me emrin “Air Albania”. Më në fund kuqezinjtë do të përballen si të barabartë me çdo kundërshtar jo vetëm në fushë, por edhe për sa i përket infrastrukturës.
Pikërisht këtë moment nuk do të humbë askush. Më shumë se 100 mijë sportdashës kanë shprehur interes për të qenë prezent në këtë moment historik në ndeshjen e kuqezinjve përballë francezëve, por kapaciteti i stadiumit është 22 mijë tifozë.
Rreth e qark stadiumit mbizotëroi ngjyra kuqezi me tifozë nga të gjitha moshat. 1 mijë forca policore ishin në terren për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur incidentet. Kontrollet ishin të rrepta dhe të përforcuara. U ndaluan sendet e forta, deri tek farat, ndërsa për t’u futur brenda stadiumit, stujuartët kontrolluan imtësisht edhe poshtë kapuçëve e kapeleve të tifozëve. Nuk munguan edhe ngjyrat e flamurit francez, të cilët edhe pse të pakët në numër dhuruan një atmosferë të bukur.
Interes të madh për këtë ndeshje kanë treguar edhe mediat franceze, që kanë bërë rreth 80 kërkesa për akreditim, numër ky shumë më i lartë krahasuar me gazetarët shqiptarë, të cilët do të jenë vetëm . Gjithashtu, FSHF-ja angazhoi 150 studentë nga Akademia e Sporteve për të ndihmuar tifozët të hyjnë në stadium./Gazeta SHQIP