Në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 61 raste me Covid. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, janë shënuar edhe dy viktima të tjera nga virusi.
Viktimat janë një 59-vjeçare nga Lushnja, e cila vuante nga insuficenca renale kronike. Gjithashtu, një 77-vjeçar nga Vlora, i cili vuante nga hipertensioni, nuk ka arritur të mbijetojë. Nga ana tjetër, mësohet se 48 pacientë janë shëruar nga Covid në 24 orë. Vijojnë shtrimet në Spitalin Infektiv, ku po marrin shërbim 81 pacientë.
Prej tyre, 12 janë në terapi intensive, ndërsa dy të intubuar. Pjesa më e madhe e rasteve të reja lidhen me punëtorë. Shpërndarja gjeografike e rasteve vijon si më tej: 12 të prekur në Tiranë, 11 në Vlorë, 7 në Durrës, nga 5 raste në Kukës dhe Divjakë, nga 3 raste në Pukë, Korçë, Kurbin, 2 në Krujë dhe nga 1 rast përkatësisht në Shkodër, Fier, Lezhë, Has, Mirditë, Kamëz, Sarandë, Fushë-Arrëz, Selenicë, Belsh.
Në të gjithë vendin, aktualisht janë 931 persona aktivë me Covid. Si çdo ditë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për respektimin e masave të distancimit, si dhe respektimin e protokollit nga ana e bizneseve. /Top Channel