Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet të sjellë të dridhura në politikën shqiptare. I vetmi politikan i dënuar me burg është Spiro Ksera, ndërsa gjithë të tjerët ia kanë hedhur paq edhe pse në zyrat e prokurorëve kanë qenë mal dosjet.
Për sa kohë ishte Adriatik Llalla kryeprokuror pati me dhjetra padi ndaj ish-ministrave e ish-deputetëve, por askush nuk u dënua. SPAK u krijua me këtë qëllim, por sërish nuk po shohim zyrtarë të niveleve të larta të përballen me drejtësinë.
Mirëpo amerikanët duket se i kanë sytë te Byroja Kombëtare e Hetimit. Ish-përfaqësuesi i OPDAT, Gjon Juncaj në një intervistë kohë më parë u shpreh qartë se lufta ndaj korrupsionit do të nisë kur SPAK të kompletohet me prokurori, gjykata dhe polici gjyqësore. Ambasada amerikane ka reaguar shpesh mbi sulmet ndaj Byrosë dhe e ka mbështetur fort, por duket se ky është një qëndrim zyrtar i Uashingtonit.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë në faqen zyrtare të tij ka publikuar një qëndrim mbi ngritjen e BKH, ku tregon se pas zgjedhjes së hetuesve SHBA do të nisë trajnimin tyre, i cili do të kalojë në 4 faza. Sinjalet janë se në 2021 nis reprezalja në politikë.
“Më 30 korrik, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar Aida Hajnaj u emërua Drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e sapoformuar. Ambasada Amerikane lëshoi një deklaratë duke e festuar këtë moment të rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi, duke theksuar se ky proces nuk do të ishte i lehtë, i shpejtë apo i përsosur, por se është i nevojshëm dhe duhet të vazhdojë. ICITAP Albania do të kryejë programin e miratuar pesë-ditor të trajnimit të Drejtorit të BKH.
Sapo të zgjidhen, verifikohen dhe punësohen, hetuesit e BKH do t’i nënshtrohen trajnimit në katër faza të ndryshme, nga të cilat Faza 1 (katër javë) është një kurs induksion që do të ofrohet në Shqipëri nga ICITAP dhe Faza 2 (katër javë), e koordinuar nga ICITAP, i cili do të përqendrohet në aftësitë thelbësore të hetimit dhe parashikohet të sigurohet në 2021 në Akademinë e FBI në Quantico, Virxhinia – nëse pandemia e lejon”, thuhet në deklaratën e Departamenti Amerikan të Drejtësisë.
Detajet
Ndërkohë mësohet se dy fazat tjera do të jenë trajnime që do të vijojnë po në Tiranë, sigurisht me mbështetjen e amerikanëve dhe veçanërisht FBI, që do të kenë të bëjnë me përgjimet, gjurmimin e parave dhe fusha të tjera. Nëse futemi te faqja zyrtare në internet e akademisë së FBI në Virxhinia, tregohen detaje se si bëhen trajnime të zyrtarëve të ndryshëm nga shtetet partnere, përfshirë dhe Shqipërinë.
“Temat e zgjedhura për programin e trajnimit për drejtuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit përfshijnë: tendencat e politikës, ekonomisë dhe faktorëve socialë kombëtarë e ndërkombëtarë që ndikojnë në funksionimin e policisë; etika dhe integriteti; rekrutimet në punë, ryshfeti dhe politikat promovuese, etj.”, thuhet në dokument.