Endri Fuga reagon ndaj akuzave të Partisë Demokratike mbi një udhëtimi drejt Parisit të kryeministrit Edi Rama, që për PD-në kishte përdorur për arsye personale një nga avionët e kompanisë Air Albania.
Sipas këshilltarit të kryeministrit, akuza e hedhur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi është “ e turpshme, avioni përdorët vetëm për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me Air Albania pa qëllim fitimi”.
Fuga vijoi duke shtuar se “ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin”.
Reagimi i Fugës:
E turpshme akuza për udhëtimin 24orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me AIR ALBANIA pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin!
Akuzat e PD
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaroi se kreu i qeverisë, Edi Rama ka zgjedhur që fundjavën ta kalojë në Paris, pa pasur asnjë axhendë zyrtare dhe asnjë takim shtetëror.
Bardhi thotë se kur gjithë shqiptarët janë në karantinë, Rama shpenzon 100 mijë euro për udhëtime personale.
Postimi i plotë i Gazmend Bardhit
Ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris. Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhetimi.
Për ç’arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale?
Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal?
Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale.
Si mundet që Kryeministri ta trajtojë shtetin si pashallëk dhe të plotesojë qejfet e veta për udhëtime turistike ndërkohë që shqiptarët janë më të varfër se kurrë?
RAMAVIRUSI që ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, që ka varfëruar dhe lënë të papunë shumicën e tyre, shpërdoron fondet publike për interesa personale.
Shqipëria nuk është pashalleku i Edit të Surrelit. Mosha dhe zullumet e kanë plakur autokratin në ikje, që po braktiset çdo ditë nga qytetarët e ndershëm shqiptarë.