E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Leyla Moses Ones ka kërkuar ditën e djeshme që t’i kushtohet më shumë vëmendje kontrollit të fakteve për vërtetësinë e lajmit.
Duke folur në një konferencë mbi lirinë e medias dhe mbi kontrollin e fakteve, zonja Leyla Moses Ones inkurajoi gazetarët investigativë, që të mos dekurajohen pavarësisht kushteve të vështira që ndeshen jo vetëm në Shqipëri, pasi sipas saj,
SHBA do t’i mbështesë ata. “Shqyrtimi i fakteve luan një rol vendimtar për të zbuluar paragjykimet dhe kundërshtuar censurën. Puna juaj për të përmirësuar cilësinë e gazetarisë në Shqipëri dhe në rajon nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ju jep mbështetjen e saj të plotë. Gjatë viteve të fundit, kemi investuar vazhdimisht në gazetarinë investigative dhe të bazuar në fakte.
U kemi dhënë prioritet burimeve tona për të krijuar mundësi dhe për të hapur rrugët për ata që kërkojnë të flasin të vërtetën. Çdo vit dërgojmë gazetarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe sjellim ekspertë të medias amerikane në Shqipëri për të ndarë praktikat më të mira dhe për të përmirësuar cilësinë e gazetarisë”, deklaroi ajo.
Më tej, përfaqësuesja e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë bëri publik dhe rezultatet e një anketimi ku janë intervistuar rreth 800 gazetarë. “Këtu në Shqipëri, Ambasada e SH.B.A.-së bëri publike kohët e fundit rezultatet e një studimi të profesionistëve të medias.
Studimi, i cili pasqyroi zërat e 800 profesionistëve të medias në të gjithë vendin, konfirmoi një mjedis në të cilin pronarët e mediave gjithnjë e më shumë kontrollojnë atë që raportohet dhe si mbulohet. Mbi gjysma e të anketuarve raportuan se kishin marrë një urdhër nga një pronar medie ose kryeredaktor për të shkruar një lajm të porositur. 41 për qind besonin se “të gjitha mediat censuronin veten” dhe 36 për qind mendonin se kishte “vetë-censurë të shpeshtë””, u shpreh ajo.
Ndërkohë, zonja Leyla Moses Ones këmbënguli që angazhimi në median e pavarur duhet të vazhdojë, duke vlerësuar se edhe ajo çka gazetarët bëjnë sot meriton vlerësim. “Më bën shumë përshtypje trimëria që ju tregoni çdo ditë në kapërcimin e pengesave që synojnë t’ju bëjnë të heshtni. Faleminderit dhe ju uroj suksese në këtë dhe nismat e ardhshme”, nënvizoi Leyla Moses Ones.