Ashtu siç e ka monitoruar prej disa muajsh situatën politike në Shqipëri “Al Jazeera” ka vijuar edhe sot me punën në terren, teksa ka monitoruar procesin e votimit në Shkollën e Mesme “Ibrahim Rugova” në Kamëz.
“Al Jazeera” ka realizuar një kronikë për procesin zgjedhor në këtë qytet, duke sqaruar: “Ky është një bastion i sigurt për opozitën, por që nuk ka një kandidat pasi po bojkoton plotësisht zgjedhjet lokale.
Partia Demokratike akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon zgjedhje të përgjithshme, është duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama”.
Në vijim, gazetari John Psaropoulo ka intervistuar kryebashkiakun ende në fuqi të Kamzës, Xhelal Mziu, i cili shprehet se nuk do t’i njohë zgjedhjet.
“E vetmja gjë që mund të më lëvizë nga zyra, është vota e njerëzve dhe jo vendimi i një partie politike.
Ne nuk jemi në Korenë e Veriut dhe nuk jemi më në komunizëm. Unë nuk do të njoh këto zgjedhje”, thotë kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu për “Al Jazeera”.
Media e huaj vë në dukje faktin se Partia Demokratike drejtoi shumë mbështetës për të parandaluar ngritjen e qendrave të votimit në të 24 qytetet ku dominon opozita.
“Në qytetin e Shkodrës policia shpërndau protestuesit me gaz lotsjellës. Policia mban nën kontroll qendrat e votimit në mbrojtjen e armëve për të parandaluar incidente të mëtejshme.
Bashkia e Kamzës ka një status të veçantë për opozitën, është një qendër e qëndrueshme e Partisë Demokratike, në periferi të Tiranës, ku dominon Partia Socialiste.
Në 23 vitet e fundit socialistët kanë drejtuar vetëm një herë në vitin 2000, ku demokratët abstenuan ndaj procesit elektoral”, thuhet në kronikë.
Ndërkohë, në fund të kronikës flet edhe lideri demokrat Lulzim Basha, i cili u kërkon mbështetësve të tij të qëndrojnë të qetë dhe pa humbur kontrollin deri të hënën.
“Shqipëria është e tronditur nga mosreagimi ndërkombëtar ndaj provave që lidhin Ramën me krimin e organizuar përmes së cilëve ai rifitoi pushtetin në vitin 2017.
Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, e cila potencialisht të çon në trazira civile, trazira sociale, nëse nuk ka një dënim të qartë të farsës e cila tashmë ka ndodhur”, thotë Lulzim Basha.