Ilir Meta thotë se 14 maji, data kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale, do të jetë dita e dërrmimit të regjimit monist në vend.
Meta shprehet se katër vitet e pushtetit vendor monist dhe të paligjshëm, do të marrin fund përgjithmonë.
“14 Maji do të jetë dita e dërrmimit të regjimit monist në Shqipëri. 4 vitet e pushtetit vendor monist dhe të paligjshëm si as në vendin më prapambetur të Afrikës do të marrin fund përgjithmonë. Partia e Lirisë do garantojë jo vetëm rikthimin e pluralizmit në këshillat bashkiakë, por do të jetë fuqia kryesore e zërit të qytetarëve që do zbatojë Llogaridhënien pa asnjë kompromis me interesin publik dhe qytetar.
Të shtunën në Konventën Kombëtare zgjedhim ekipin drejtues që do të udhëheq Partinë e Lirisë drejt Fitores të padiskutueshme. Do të jetë së pari triumfi i lirisë të qytetarëve të nëpërkëmbur, të vjedhur, të intimiduar dhe të padëgjuar në këto 4 vitet e pushtetit absolut monist të Rilindjes”, shkruan Meta në Facebook.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, caktoi 14 majin 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore të ardhshme.
Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare.