Analisti Frrok Çupi ditën e djeshme deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha është tirani i fundit në Ballkan.
Ai u shpreh se Berisha dhe Meta si liderë me një pasuri shumë të madhe të bazuar mbi një shoqëri tribale, janë një kategori e cila rrezikon paqen.
Çupi tha se prandaj Amerika është e përqendruar në rajonin tonë. Sipas tij Berisha është i fundit i tiranëve në Ballkan që prodhoi post-komunizmi. “Ky është një gadishull plot probleme. Këtu tirani ndërtohet në bazë të pasurisë. Këtu dominon një shoqëri fisnore dhe këtu dominon pasurimi shumë i madh i lidërve.
Ne kemi tani të paktën Berishën si një lider dhe ndoshta edhe Presidenti Republikës, njerëz të pasuruar pafund, të cilët bazohen mbi një shoqëri tribale. Sidomos PD me Berishën në krye edhe partia vetë është fisnore. E gjitha kjo krijon shanset që paqja në Shqipëri dhe Ballkan të rrezikohet nga kjo kategori.
Prandaj është e vëmendshme Amerika në këtë rajon. Ishte para Berishës me Millosheviçin, pastaj me Izetbekoviçin, ishte mbi Franjo Tudjman. Këta janë tiranët e Ballkanit që dolën pas viteve ‘90. Berisha? Unë besoj se po. Ai është i fundit i tiranëve në Ballkan që prodhoi post-komunizmi”, tha Çupi.
Analisti u shpreh se Berisha është duke e kërkuar vetë sherrin duke sfiduar Amerikën. Ai tha se ambasadorja amerikane Yuri Kim është duke përcjellë mesazhe të fshehta në deklaratat e saj. Sipas tij, Amerika kërkon inovacion dhe nisjen e një epoke të re larg komunizmit.
“Berisha e kërkon sherrin vetë edhe pasi është goditur nga superfuqia dhe sfidon dhe të njëjtën sfidë përdor dhe Amerika, por më me takt dhe elegante.
Kim flet në mënyrë shumë të figurshme, përmban 2 mesazhe, e para që është një periudhë e lënë pas, ajo e diktaturës dhe opozita mbahet pas komunizmit dhe nuk ka asnjë kauzë tjetër dhe e dyta është mesazhi i një epoke të re, inovacioni është ajo çfarë kërkon Amerika”, deklaroi Çupi.