Kancelarja Angela Merkel deklaroi një ditë më parë se, nuk mund të premtonte që këtë vit negociatat për Shqipërinë do të hapen. Por, sipas saj, kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt.
Natyrisht, ngecja në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë ka ndikuar për keq, ashtu si dhe beteja politike në vend.
LEXO EDHE:
Rama u premton banorëve në Kombinat: Do merrni aq truall sa keni! Në Farkë, kishin një shtëpi 4 kurora, tani kanë katër banesa
Portali familjar i Berishës ndërkohë, ka kaluar në ekstazë dhe falenderon Angela Merkelin për lajmin që dha dhe që më në fund, ajo ka arritur të njohë Edi Ramën.
“Pas zgjedhjeve lokale moniste që Edi Rama zhvilloi dhe “fitoi” me arrogancë, një nga kushtet kryesore për përparimin e Shqipërisë në axhendën e përparimit drejt anëtarësimit në BE, u bë Reforma Zgjedhore. Ajo duhej vetëm me konsensus dhe gjithëpërfshirëse.
Por kishte ardhur koha që kancelarja Merkel të kuptonte përfundimisht, se pas “kryeministrit ndryshe të Shqipërisë” që vishej me atlete në takime zyrtare dhe batutaxhiut, në fakt fshihej një turkoshak trial, i cili shkelte hapur rregullat bazë të demokracisë dhe kishte ngritur në sistem korrupsionin dhe legalizimin e krimit të organizuar.
Lobimi, pi-ari dhe bojatisjet propagandistike, të cilat i kishin ecur deri atëherë më Komisionin Europian të Hahn dhe politikën e jashtme të Mogerinit në BE, nuk funksiononin më me Bundestagun gjerman.
Përveç kushteve të bazë të BE, ky i fundit përpiloi edhe plot 15 të vetat që Shqipëria të hapte realisht negociatat dhe të niste bisedimet ndër-qeveritare me vendet anëtare të BE-së.
Biseda e fundit e Edi Ramës me kancelaren Merkel ka qenë ajo e 12 tetorit të këtij viti në mënyrë virtuale, pasi përpara saj Rama bëri një vizitë 2 ditore në Berlin por u injorua hapur nga Merkel dhe të gjithë zyrtarët e lartë aty.
Madje as në telefon nuk pranoi që t’i dilte, pavarësisht nga ndërhyrjet dhe lobimet e shumta që bëri.
Kjo ishte shuplaka më e fortë dhe një paralajmërim i qartë për një politikan që jo vetëm nuk mbante premtimet, por përkundrazi ecte me paramendim në një axhendë të kundërt me atë që kishin shtruar kushtet.
Kulmi u arrit kur Edi Rama me arrogancë shkeli marrëveshjen e “Këshillit Politik” për Reformën Zgjedhore, ndryshoi Kushtetutën pa konsensus dhe bëri një Kod Elektoral sipas hesapeve të veta për një ‘mandat të tretë’.
Nga ana tjetër gjermanët kuptuan se prapa sabotimit të ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, qëndronte pikërisht synimi i Ramës për t’i kapur ato.
Ndaj ditën e djeshme pasi dha lajmin e mirë për Maqedoninë e Veriut, ajo ftohtë dhe në vetëm një fjali (Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit) ndëshkoi mashtrimet dhe instalimin e regjimit klepto-kriminal e anti-europian të Edi Ramës, me shtyrjen kushedi edhe për sa kohë, të ëndrrës evropiane, me të cilën shqiptarët mbushën sheshet dhe rrugët kur rrëzuan njëherë diktaturën!
‘Faleminderit Angela’ që e njohe Edi Ramën e vërtetë”, shkruan portali i familjes Berisha, që nuk arrin dot ta fshehë gëzimin për bllokimin e negociatave.
Bllokim, për të cilin PD ka vite që lobon në Bundestagun gjerman.
Ndaj dhe kanë të drejtë të gëzojnë, se të paktën po e marrin një fitore ndaj Ramës./ TemA