Ka rënë numri i të infektuarve me koronavirus. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 13 raste pozitive, përkatësisht 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë dhe 1 rast në Shkodër duke e çuar numrin total në 1197 raste. Sakaq dje janë regjistruar 7 persona më pak se dy ditë më parë.
Janë testuar 39 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 3 raste, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Sipas Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik, në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 23 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes.
Rreth 75% e të prekurve janë tashmë të shëruar. “Në vendin tonë janë 266 persona aktivë me COVID-19, ku në Tiranë janë mbi 68% e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Kamëz, Krujë dhe që nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 17 mijë testime molekulare dhe serologjike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, është shprehur Dervishi nga ISHP.
Pa vendim për transportin
Teksa qeveria ka liberalizuar masat dhe qytetarët i janë rikthyer jetesës normale, pa kufizime kufitare dhe orare, ajo që mbetet ende pa u hapur është transporti publik urban dhe interurban. Transporti është kthyer në një problematikë për qytetarët, sidomos në qytetet e mëdha. Sakaq punëtorët kanë hasur po ashtu probleme sa i takon transportit.
Ndërkohë që nuk ka ende një vendim nga qeveria e për pasojë transporti urban dhe interurban vijon të jetë i bllokuar, operatorët e transportit i kanë kërkuar qeverisë ndërmarrjen e një sërë masash për shpëtimin e tyre nga falimentimi. Ndërkaq, pavarësisht se protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë për operimin e tyre nuk është miratuar ende, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban Kamëz Veri, ka marrë në konsideratë funksionimin me 50% të kapacitetit, ndaj kërkon që shteti të paguajë për 30% të kapacitetit të munguar të udhëtarëve, në mënyrë që të përballohet ofrimi i shërbimit.
Shoqata e Transportit, shprehet se nafta zë shpenzimin kryesor në sektorin e transportit me 70% të totalit, ndërkohë që merret me një çmim të papërballueshëm nga operatorët. Për këtë arsye, përmes një kërkese drejtuar institucioneve shtetërore kjo shoqatë propozon lehtësimin e barrës financiare në këtë drejtim, duke kërkuar heqjen e akcizës së naftës për sektorin e udhëtarëve, njohjen në blerje të TVSH-së së naftës si të zbritshme në vlerën 100%, që aktualisht është 43% e shitjeve, si dhe zbritjen e pragut të TVSH-së në shitje, sikurse e kanë hotelet.
Hiqen taksat
Ndërkohë në mbrëmje shefi i qeverisë në një studio televizive deklaroi se qeveria shumë shpejt do të dalë me një draft për t’i hequr biznesit të vogël tatim fitimin deri në vitin 2029. “Çdo shqiptar që krijon biznes do i heqim taksat deri në vitin 2029 që bën xhiroi deri në 140 milionë lekë të vjetra. Ne kemi një biznes të vogël që mban në punë një numër të konsiderueshëm familjesh. Janë njerëz që e krijojnë punë vetë me një lokal a dyqan dhe që përballojnë një torturë prej 30 vitesh me inspektorë, kontrolle e rikontrolle dhe ata që u vijnë në emër të shteti e thonë më jep një kafe, ne duam tua u heqim. Këta njerëz duhet të jenë të lirë. Me shtetin duhet të kenë marrëdhënien e të qenit roje për biznesin e madh. Këta njerëz nuk do paguajë asnjë tatim fitimi”, tha ai./Sot/ARBJONA ÇIBUKU