Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vijuar ditën e djeshme me shpalljen e vendimeve për njerëzit e drejtësisë. Pas hetimit në tre kriteret e vlerësimit atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, Komisioni shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Apelit në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Nure Dreni.
Procesi ndaj Drenit ishte një prej më të gjatëve në KPK. Ajo ishte shortuar në maj 2018 si një nga subjektet prioritare. Fillimisht KPK kishte mbyllur procesin ndaj Drenit vetëm në kriterin e pasurisë, por më pas rihapi hetimet në të tre kriteret. Seanca dëgjimore ndaj Drenit u njoftua fillimisht në shkurt 2020, më pas KPK zhvilloi një seancë që zgjati disa orë në mars të këtij viti.
Ndërkohë dhënia e vendimit ishte caktuar në mars, por u shty pas vendosjes së masave kundër epidemisë. Gjatë seancës dëgjimore Drenit iu vunë në dukje pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë; e cila përbëhet nga një automjet i markës Citroen, një apartament prej 155 m2 në pronësinë e bashkëshortit, një investim prej 5.8 milionë lekësh në bono thesari si dhe një apartament prej 60 m2 në Golem.
KPK evidentoi gjithashtu se nuk ishte provuar fitimi i kompanisë “Dreni” sh.p.k me ortak bashkëshortin e gjyqtares- të ardhura që janë përdorur më pas si burim për blerjen e një apartamenti. Dreni i kundërshtoi gjetjet e KPK dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 3.3.2020 për subjektin e rivlerësimit, Nure Dreni, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 17.6.2020, vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Nure Dreni, gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga z. Olsi Komici, znj. Xhensila Pine relatore, znj. Suela Zhegu anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, thuhet në njoftimin e KPK.
Çështja e Tahirit
Gjyqtarja Nure Dreni, ishte një nga tre gjyqtaret që po gjykon dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Dhe një shkarkim i tillë vjen 7 ditë nga data 24 qershor kur ky trup gjykues ka caktuar si datë për shpalljen e vendimit. Sipas procedurës do të duhet të zëvendësohet me short nga një tjetër gjyqtar.
Kjo e bën thuajse të pamundur që vendimi të jepet në datën 24 qershor. Trupi gjykues që po gjykon dosjen e ish-ministrit të Brendshëm përbëhej nga: Nure Dreni, Albana Boksi dhe Nertina Kosova që e kanë kaluar vetingun duke u konfirmuar në detyrë.
KPK konfirmon 2 gjyqtare
Ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë edhe dy gjyqtare, Edlira Petri dhe Elona Toro. Kjo e fundit është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe pas hetimit në tre kriteret e vlerësimit ka rezultuar e pastër.
Për Elona Toron nuk kishte asnjë problem në kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë të profesionit, ndërsa për kriterin e pasurisë Toro arriti të bindë komisionin për të ardhura të ligjshme. Po ashtu, edhe gjyqtarja e Apelit, Edlira Petri u konfirmua në detyrë nga KPK.
Petri iu nënshtrua procesit të vetingut në të tre kriteret, ndërsa duket se trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen u nda në vendimin për konfirmimin e saj. Gjatë seancës dëgjimore për Petrin u tha se asaj i kishte kaluar barrë prove për një ndërtim pa leje të prindërve. Petri tha se ajo nuk kishte pasur të bënte me ndërtimin.
Po ashtu ajo u pyet mbi disa pasuri të bashkëshortit, anëtar i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të cilat sipas KPK kishte dhënë shpjegime. Gjatë seancës dëgjimore gjyqtarja Edlira Petri falënderoi Komisionin për procesin e rivlerësimit të realizuar ndaj saj. “Procesi nuk ishte i lehtë, por është i domosdoshëm”, tha ajo./Sot/ ELISJEDA KIKO