Kryemadhi ka mbërritur në sheshin e Teatrit Kombëtar dhe do të qëndrojë atje deri në orën 09.00 të mëngjesit nesër, për të mos lejuar bashkë me aktivistët shembjen e tij. Në një lidhje direkte me emisionin Kapital, Kryemadhi tha se ajo ka shkuar te Teatri si qytetare e jo për pushtet.
“Njerëzit skeptikë që nuk kanë besim te politika mund ta quajnë sikur Monika po e bën këtë për pushtetin. Në këtë rast Monika nuk po thërret 100 mijë vet në shesh si Rama, por unë në këtë rast kam ardhur si qytetare dhe kam dezhurnin për të ruajtur Teatrin dhe nuk kam nevojë për të thirrur simpatizantë të LSI”, u shpreh kryetarja e LSI.
E pyetur nga moderatori Aleksandër Furxhi se cili ishte roli i saj atje, Kryemadhi tha “Jam unë ajo që kam detyrë që kur të vijnë fadromat të lajmërojë Bashën dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.”
Gjithashtu, kryetarja e LSI tha se ata do të protestojnë te Teatri duke ruajtur distancën.
“Në ambiente të hapura covid-19 nuk shpërndahet dhe as bakterët e tjerë me përbërës kimik laboratorik. Ne do protestojmë duke mbajtur distancë dhe duke pasur njëlloj rregullash dhe masash. Kemi marrë dhe termometër për të parë mos vjen ndonjë person tjetër i panjohur, por nuk ka të drejtë të rrijë pranë Teatrit Kombëtar”, shtoi ajo.