Një gjë mund të thuhet me siguri deri më tani: Exit Poll-et e mbrëmshme kanë dështuar në mënyrë spektakolare.
Duke filluar nga ai i Top Channel, që i jepte një fitore të ngushtë PS-së, deri tek ato të mediave të PD-LSI, që nxirrnin fituese opozitën.
RTV Ora në bashkëpunim me Noto Sondaggi raportuan se nga 80% e qytetarëve që kanë votuar për qarkun e Tiranës, PD mposht PS-në dhe fiton kryeqytetin, ndërsa LSI shkon në pikiatë.
Ndërkohë në rang vendi, ky Exit Poll nxirrte se fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike me 44 deri në 48 %, PS me 41-45%, LSI 4-8%, PSD 1.5-3.5% dhe Nisma 0.5-2.5%.
Exit Poll-i i Zeni TV ishte edhe më i pabesueshëm, duke thënë se Partia Socialiste ka fituar vetëm 44.2% të votave: PS: 44. 2 – 65 mandate; PD: 40.4 – 63 mandate dhe LSI: 9.3 – 10 mandate.
Ndërkohë Top Channel raportoi se Partia Socialiste fitonte në rang vendi me 46.9%, e pasuar nga Partia Demokratike me 43.9% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 6.9%.
Por Exit-Poll-e rezultuan shumë larg realitetit, pasi rezultatet paraprake të publikuara deri më tani nga Komisioni Qendror Zgjedhor, treguan diçka tjetër.
Sipas rezultateve të publikuara në 10:01, PS rezulton fituese me 49.51% të votave në rang vendi.
Ndërkohë PD vjen e dyta me 38.42% dhe LSI vjen me vetëm 7.11% të votave në rang vendi.
Këto janë të dhënat që dalin nga numërimi në 1696 Qendra Votimi, nga 5199 që janë gjithsej.
Sipas projeksionit, PS fiton e vetme nga 75 deri në 77 mandate.