Tentativat e presidentit Ilir Meta për të pasur në dorë emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese duket se po dështojnë. Presidenti dekretoi mes debateve Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tani ka dhe dy vakanca për të plotësuar.
Një vakancë u krijua për shkak të shkarkimit të Besnik Muçit, ndërsa sa i takon vakancës tjetër, gara është hapur disa herë për shkak të mungesës së kandidatëve. Meta nisi një betejë të fortë me kreun e KED, Ardian Dvorani, duke e kallëzuar penalisht.
Plani i tij ishte që ta largonte nga drejtimi i institucionit, pasi sipas ligjit, nëse një anëtar ndiqet penalisht, duhet të largohet. Sipas ligjit, drejtimin duhet ta marrë Vitore Tusha, si më vjetra në moshë nga anëtarët e Kushtetueses. Duket qartë se kallëzimi i Metës ka qenë i planifikuar, pasi në listën e kandidatëve për dy vendet vakante, janë disa emra që janë skualifikuar dhe më parë. Po ashtu në listë është dhe një emër që ka shkaktuar debate. Kur u skualifikua nga gara, Meta ndërhyri te Dvorani duke i kërkuar sqarime. Këtë gjë e deklaroi Dvorani dhe në mbledhjen e Komisionit Hetimor. I njëjti kandidat ka shfaqur sërish interes për vendet vakante të Metës. Pra shpresat ishin se do ikte Dvorani dhe përmes Tushës, Meta do të fuste ushtarët e tij në Kushtetuese dhe më pas do të bllokonte dhe shkarkimin. Por situata e krijuar duket se ja ka prishur planet.
Prokurori nuk ka marr ende një vendim për Ardian Dvoranin dhe ai vijon të jetë kryetar i KED. Nga ana tjetër, javën që vjen KED do të mblidhet online dhe do të nisë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për dy vakancat e presidenti dhe për një vakancë të Parlamentit. Pra procedurat për emrat e rinj janë sërish në dorë të Dvoranit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, por dyshimet janë se nëse presidentit nuk i pëlqejnë emrat që do i shkojnë në fund, do ketë sërish përplasje e debate. Sipas burimeve nga KED, për kandidatët që kanë shfaqur interes kanë mbaruar verifikimet dhe tashmë do hyhet në fazën e intervistimit dhe më pas të përzgjedhjes.