Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë, edhe Franca i ka dërguar një mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha, duke ja bërë të qartë se nuk ka shanse që të bashkëpunojë me të dhe se për Parisin zyrtar për shkak se është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke i mbyllur kështu derën.
Më konkretisht, ish-kryeministri Berisha nuk është i ftuar në festën kombëtare të Francës më 14 korrik, lajm ky që është pohuar nga ambasadorja franceze në vendin tonë, Elisabeth Barsacq, e cila gjatë një prononcimi për mediat e ka bërë të qartë qëndrimin e tyre, se nuk e njohin një person të shpallur “non grata” nga SHBA. Madje e prerë dhe e drejtpërdrejt në atë që thoshte, diplomatja Barsacq u shpreh se SHBA është aleati më i mirë Francës dhe nuk do të dalin kundër tyre. “Ne nuk ftojmë persona që janë objekt – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin në fjalë – por ne nuk ftojmë persona që janë objekt i një situate të veçantë përkundrejt Shteteve të Bashkuara, domethënë, pa akses në territorin e SHBA”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse Berisha duhet hetuar apo dënuar, Elisabeth Barsacq u shpreh se i takon institucioneve shqiptare të vendosin për këtë. “Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen shqiptarët. Nuk më takon mua. Unë vëzhgoj se çfarë bëjnë shqiptarët”, nënvizoi ambasadorja Elisabeth Barsacq, duke i dhënë kështu një goditje të fortë Berishës. Pra nisur nga këto deklarata të forta, duket qartë se SHBA dhe BE janë në unison me njëra-tjetrën dhe i kanë mbyll portat Berishës, madje nuk e njohin edhe si kryetar të PD.
SHBA shpalli “non grata” Berishën
Më 19 maj 2021 Sali Berisha u shpall “Non Grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve. Bashkë me Sali Berishën DASH u ndaloi hyrjen në SHBA edhe Liri Berishës, Shkëlzen Berishës dhe Argita Malltezit.
Britania e Madhe injoron Berishën
Edhe Mbretëria e Bashkuar duket hapur që nuk e njeh Berishën si liderin e PD dhe opozitës. “Jubileu i Platinit”, aktiviteti përkujtimor për 70-vjetorin të ngjitjes në fronin e Britanisë së Madhe të mbretëreshës Elizabeta II u zhvillua dhe në selinë e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri pak ditë më parë. Mes të ftuarve ishte dhe presidenti Ilir Meta dhe politikanë të mazhorancës e opozitës, por nuk rezultonte ish-kryeministri. Duket se dhe pse në heshtje, Londra nuk e pranon Berishën si drejtuesin e duhur për PD.
Italia kërkon liderë të rinj në krye të PD
Edhe Italia është në të njëjtën linjë me SHBA, Gjermaninë dhe Britaninë për sa i përket Berishës. Ambasadori i aleatit tonë, Fabrizio Bucci bëri me dije gjatë një interviste televizive në 2 qershor se demokratët kanë mjaft politikanë të rinj dhe të zotë, të cilët mund ta drejtojnë më së miri. Ai dha mesazhin se PD duhet të shikojë nga e ardhmja. “Italia (Fabrizio Bucci, 02.06.2022): Ne nuk mund të ndërhyjmë. Ne si Itali dhe si ndërkombëtarë mendoj, se është mjaft delikate të ndërhysh në dinamikat e brendshme të një partie. Ajo që mund të them, nga një këndvështrim më i përgjithshëm sa i takon opozitës, është se në gjirin e saj ka mjaft politikanë të rinj, të zotë, të aftë, mendoj se ky është pikërisht momenti kur të shohim drejt së ardhmes”, shprehej diplomati italian Bucci.
Austria nuk e njeh Berishën si kryetar të PD
Ndërkohë edhe Austria pret përgjigje nga Gjykata e Apelit të Tiranës lidhur me çështjen se kush është ligjërisht drejtues i Partisë Demokratike. Ambasadori austriak Christian Steinar u shpreh pak ditë më patë në qytetin e Korçës teksa mori pjesë në një orë leksioni të hapur në Universitetin “Fan S. Noli” se si diplomat nuk mund të shprehë qëndrime dhe komente për përçarjen dhe krizën në selinë blu. “Do ta shikojmë, presim vendimin e gjykatës”, u përgjigj për Berishën përfaqësuesi i Austrisë në vendin tonë Christian Stainer.
CDU, partia simotër e PD, kundër Berishës
Por, dhe partia simotër e PD, CDU në Gjermani mban të njëjtën linjë. Në 7 qershor gjatë një vizite në vendin tonë, deputeti kristiandemokrat dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin gjerman (Bundestag) Peter Beyer u shpreh se duhet të respektohet qëndrimi i SHBA ndaj Berishës, të cilit i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan duke e akuzuar për korrupsion dhe minim të demokracisë gjatë 13 viteve në pushtet.
Beyer shtoi se bashkëpunimi me politikanë “non grata” është kategorikisht i ndaluar të ndiqet nga CDU në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. “Demokracia parlamentare e Shqipërisë ka nevojë për një opozitë të bashkuar dhe të fortë. Axhendat personale të individëve nuk duhet të luajnë një rol jashtë përgjegjësisë për vendin. Është e qartë se çdo lloj bashkëpunimi me një ‘persona non grata’ si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar është i ndaluar që në fillim. Ky është një pozicion i zakonshëm, i padiskutueshëm që ne e përfaqësojmë rreptësisht në unison me miqtë tanë në SHBA”, shkruan Beyer.
Kristiandemokrat gjerman Krichbaum “shuplakë” Berishës
Po ashtu, edhe një tjetër përfaqësues i CDU në Bundestag paralajmëroi qëndrime më të ashpra ndaj PD nëse zgjedh në krye të saj Berishën duke propozuar që kjo parti të përjashtohet nga blloku i Partive Popullore Europiane (PPE). Në 19 maj të këtij viti, deputeti kristiandemokrat gjerman Gunther Krichbaum kërkoi që PD të zgjedhë liderë të rinj që shohin drejt së ardhmes dhe jo të kthehen pas në kohë, duke nënkuptuar se s’duhet të pranohet nga demokratët që të udhëhiqen nga Berisha. “Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”, shprehej Krichbaum. /Rigels Seliman